UBT News

​Programi bërthamor, BE vendos sanksione shtesë ndaj Iranit

Bashkimi Evropian ka bërë të ditur sot se ka rivendosur sanksione të gjera ndaj Iranit për shkak të programit të tij bërthamor, pasi Kombet e Bashkuara rivendosën masat e tyre gjithëpërfshirëse.

“Sot, BE-ja rivendosi sanksionet kundër Iranit për shkak të mosrespektimit të vazhdueshëm të marrëveshjes bërthamore. Dera për negociata diplomatike mbetet e hapur,” thuhet në një deklaratë të presidencës së BE-së.

Bashkimi Evropian deklaroi se sanksionet përfshijnë ngrirjen e aseteve të Bankës Qendrore Iraniane dhe bankave të tjera iraniane, si dhe ndalime udhëtimi për disa zyrtarë iranianë.

Gjithashtu, BE-ja ndaloi blerjen dhe transportin e naftës bruto nga Irani, si dhe shitjen ose furnizimin me ar dhe pajisje të caktuara detare.

OKB-ja ndërmori këtë hap gjatë fundjavës pasi fuqitë perëndimore aktivizuan mekanizmin e ashtuquajtur “snapback” nën marrëveshjen bërthamore të vitit 2015.

Sanksionet e rivendosura nga blloku me 27 vende përfshijnë masat e OKB-së që ndalojnë veprimtaritë bërthamore dhe balistike të Teheranit, transmeton RTSh.

Teherani i ka cilësuar si “të pajustifikuara” rivendosjen e sanksioneve të OKB-së.

Exit mobile version