Një tërmet i fortë 5.5 ballësh i ka goditur disa vende të Ballkanit Perëndimor të enjten herët në mëngjes. Epiqendra e tij ishte në Mal të Zi.
Sizmologu dhe profesori universitar, Shemsi Mustafa thotë në një intervistë për UBTNews se brenda 24 orëve janë regjistruar një seri tërmetesh të dobëta.
“Brenda 24 orëve ishin tri njësi gjeotektonike në lëvizje, ishin dinaritet, në mes albanitet dhe helenitet. Këto tri njësi kanë gjeneruar brenda 24 orëve disa tërmete, ku tërmeti i parë i cili parapriu ishte ai në Pejë, sepse ky kontakt mes dinariteve dhe heleniteve është shkëputja Shkodër-Pejë që i ndan këto dy njësi tektonike. Kjo ishte si paragoditje dhe informim se mund të goditen zona. Pra brenda 24 orëve patëm disa paragoditje. Goditje tërmeti në 33km në veri të Nikshiqit, që ishte një tërmet i fuqishëm”, deklaroi ai.
Profesori Mustafa tregon se cilat janë shtetet më të rrezikuara në rajon nga tërmetet e fuqishme.
“Shqipëria është një ndër vendet më të rrezikuara nga tërmetet më të fuqishme, një pjesë e Malit te Zi, Maqedonia vazhdon deri në Greqi, dhe pjesa më e rrezikuar sa i përket aspektit sizmik është mikropllaka e Anadolit”, shtoi ai.
Në një intervistë për UBTNews ai shpjegoi se territori i Kosovës ka gjashtë shkëputje tektonike aktive, të cilat në të ardhmen mund gjenerojnë tërmete deri në 6.5 shkallë të Rihterit.
“Territori i Kosovës ka gjashtë shkëputje tektonike aktive. Shkëputja e Istogut, Prizrenit, Pejës dhe Gjilanit, që në të ardhmen mund të gjenerojnë tërmete deri në 6.5 shkallë të Rihterit. Kurse shkëputja e Drenicës, Mitrovicës dhe e Prishtinës në të ardhmen mund të gjenerojë tërmete deri në 6.0 shkallë të Rihterit”, deklaroi ai.
Lëkundja nga tërmeti është ndier në Kosovë, Bosnjë e Hercegovinë, Kroaci dhe Shqipëri./UBTNews/
Realizoi: Shkurte Berisha