Në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së, në Lipjan, u organizua një punëtori me profesorin ndërkombëtar nga Fakulteti i Mjekësisë dhe Farmacisë në Universitetin “Sapienza University of Rome”, në Itali, Luciano Saso.
Në kuadër të kësaj punëtorie, profesori Luciano Saso propozoi projektin e tezës së diplomës (UBT thesis project), në mënyrë që t’i udhëzojë studentët se si të përgatisin tezën (bibliografinë, hulumtimin, strukturën, prezantimin), si dhe u shpjegoi atyre rreth përgatitjeve për ideimin e tezës së diplomës në mënyrë që ky proces të bëhet më i lehtë dhe të ketë bazë shkencore solide.
Profesori Saso ka më shumë se 350 punime shkencore origjinale të publikuara në “Peer Reviewed” revista ndërkombëtare me impakt faktor (H-index Google scholar = 57, H-index SCOPUS = 47), duke u fokusuar kryesisht në modulimet farmakologjike të stresit oksidativ.
Pjesë të punëtorisë ishin edhe profesorët nga Fakulteti i Farmacisë: Valon Ejupi, Shpend Dragusha, Arianit Jakupi, Fitim Alidema, Gazmend Temaj, Afrim Kotori, Liridon Muqaku, si dhe nga Instituti IDEAA, profesoresha Deniz Celcima.