Në Konferencën “Balkan Secure 2.0”, profesori dhe Dekani i Fakultetit të Sistemeve të Informacionit, Blerton Abazi, në prezantimin e tij theksoi rolin kyç të institucioneve akademike në përballjen me kërcënimet kibernetike që prekin rajonin. Ai nënvizoi se hulumtimi akademik mund të rrisë riziliencën kibernetike duke prodhuar rezultate dhe studime që identifikojnë dobësitë specifike për kontekstin rajonal.
Abazi diskutoi mbi nevojën për krijimin e modeleve të të dhënave që lehtësojnë identifikimin e sulmeve dhe motivet e tyre, duke e bërë kështu më efektive përgjigjen ndaj kërcënimeve. Ai theksoi se në shumë vende të botës, bashkëpunimi midis akademisë dhe industrisë po kontribuon në avancimin e njohurive mbi sulmet kibernetike dhe po hap rrugën për zgjidhje më të efektshme të sigurisë.
Një tjetër pikë e rëndësishme e prezantimit të Abazit ishte hulumtimi ndërdisiplinor, veçanërisht integrimi i shkencave kompjuterike me shkencat sociale. Kjo qasje është thelbësore për adresimin e sfidave të Inteligjencës së Kërcënimeve Kibernetike (CTI) në Ballkanin Perëndimor, duke marrë parasysh kontekstet e veçanta socio-politike, kushtet ekonomike dhe faktorët kulturorë që ndikojnë në kërcënimet dhe reagimet kibernetike.
Në përfundim, Abazi theksoi se një qasje e tillë ndërdisiplinore mund të përmirësojë ndjeshëm kërkimin dhe aplikimet e CTI në rajon, duke ofruar një bazë të fortë për një reagim më të mirë ndaj kërcënimeve kibernetike./UBTNews/