Profesori i UBT-së, Petrit Ahmeti, mori pjesë në “Citizen Energy Movement in the Balkans Summer School”, të organizuar nga “Electra Energy”, mbeshtetur nga “REScoop”, pjesë e projektit të “European Climate Initiative” (EUKI) dhe Ministrisë Federale për Mjedisin, Ruajtjen e Natyrës dhe Sigurinë Bërthamore.
Ky organizim kishte për qëllim inicimin e bashkëpunimit rajonal në fushën e gjenerimit të energjisë nga energjia diellore, përmes përfshirjes së qytetarëve të vendeve të rajonit. Në këtë organizim kishte pjesëmarrës nga 24 vende të rajonit dhe më gjerë, si: Kosova, Greqia, Shqipëria, Turqia, Bullgaria, Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i zi, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Sllovenia, Hungaria, Rumania, Ukraina, Gjeorgjia, Malta, Gjermania, Franca, Belgjika, Britania e Madhe dhe ShBA-të.
Gjatë aktiviteteve treditore të këtij organizimi, u ndanë përvojat e vendeve të ndryshme në krijimin e komuniteteve të energjisë nga qytetarët e vendeve respektive dhe mundësitë e krijimit të komuniteteve të tilla në tërë rajonin, duke investuar në rrjetet e pavarura të gjenerimit të energjisë nga energjia diellore.
Gjatë kësaj vizite në Greqi, profesori Ahmeti, zhvilloi gjithashtu takim me përfaqësuesit e “Hellenic Passive House Insitute” (HPHI) dhe “Zero Energy and Passive House Association of Turkey” (SEVEP), Dimitris Pallantzas dhe Yasemin Somuncu, me të cilët u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit në mes tri shteteve ku edhe u dakorduan që të rrisin bashkëpunimin në mes Kosovës, Turqisë dhe Greqisë, në fushën aplikimit të standardeve të larta të ndërtimit si “Passive House” dhe “Nearly Zero Energy Buildings” në Kosovë, me mbështetjen e “HPHI” dhe “SEVEP”.