Profesori i UBT-së, Edon Maliqi, është bashkëautor i një studimi shkencor të rëndësishëm, i cili është botuar së fundmi në revistën ndërkombëtare Environmental Monitoring and Assessment. Titulli i punimit është “Monitoring Heavy Metals and Spatial Analysis Using Pollution Indices and Cartographic Visualization: A Case Study in Kosovo”, dhe është realizuar në bashkëpunim me Kaltrina Jusufin, Almë Ejupin dhe Skender Demakun.
Ky studim trajton problemet mjedisore që përballen shqiptarët, duke nxjerrë në pah ndikimin e aktiviteteve antropogjenike në ndotjen e mjedisit dhe degradimin e burimeve natyrore. Pjesë e studimit është vlerësimi i ndotjes me metale të rënda në liqenin Henci dhe në tokat përreth tij, duke analizuar koncentrimet e metalëve të rënda të tilla si bakri (Cu), kadmiumi (Cd), plumbi (Pb), nikeli (Ni), kromi (Cr), manganezi (Mn) dhe hekuri (Fe) në ujin, sedimentet dhe tokat përreth liqenit.
Për matjen e këtyre metalëve, është përdorur teknologjia e avancuar Inductively Coupled Plasma-Optical Emission Spectrometry (ICP OES), një metodë që siguron rezultate të sakta dhe të besueshme. Studimi përfshin gjithashtu përdorimin e Indeksit të Metalëve të Rënda (HMI) dhe Faktorëve të Kontaminimit (CF), për të vlerësuar ndotjen në rajon në mënyrë të plotë.
Një nga elementët kyç të punimit është përdorimi i GIS (Sistemit të Informacionit Gjeografik) për zhvillimin e hartave tematike, të cilat ilustrojnë shpërndarjen hapësinore të ndotjes, duke përdorur teknika interpolimi me një rezolucion hapësinor prej 10 metrash. Këto harta ofrojnë një analizë të detajuar të modeleve të ndotjes dhe mund të shërbejnë për ndihmën në hartimin e politikave dhe kuadrave rregullatorë për mbrojtjen e mjedisit.
Në përfundim, rezultatet e studimit tregojnë se uji i liqenit Henci ka një ndotje të lehtë me disa koncentrime të metaleve të rënda (Cu, Zn, Cd, Pb dhe Ni), të cilat kalojnë kufijtë e rekomanduar nga EPA (Agjencia e Mbrojtjes së Mjedisit të SHBA) dhe WHO (Organizata Botërore e Shëndetësisë). Megjithatë, mostrat e sedimentit dhe tokës përreth liqenit nuk tregojnë nivele shqetësuese të ndotjes.
Këto gjetje theksojnë nevojën për monitorim të vazhdueshëm dhe për zbatimin e masave rregullatore për të adresuar sfidat mjedisore. Siç theksohet në punim, studimi është një thirrje për autoritetet që të ndërmarrin veprime konkrete për të parandaluar ndotjen dhe për të përmirësuar menaxhimin e mbetjeve, duke garantuar një mjedis më të pastër dhe të shëndetshëm për qytetarët e Kosovës.
Ky studim është një kontribut i rëndësishëm në fushën e kërkimit shkencor për monitorimin mjedisor dhe përdorimin e teknologjive moderne në vlerësimin e ndotjes, duke ofruar një bazë të fortë për zhvillimin e politikave të qëndrueshme mjedisore në Kosovë dhe rajon./UBTNews/
Studimin shkencor mund ta lexoni në: https://doi.org/10.1080/15320383.2024.2430268