UBT News

Profesori i çështjeve të sigurisë Bahri Gashi komenton situatën Kosovë – Serbi në fushën e sigurisë

Situata e sigurisë në pjesën veriore të Kosovës, ndonëse është e qetë, ajo mbetet e brishtë. Atje herë pas here ka pasur tensione të cilat kanë shpërfaqur edhe në dhunë. 

Rasti i fundit ishte ngjarja e ndodhur në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator të vitit të kaluar. E ky rast sipas profesorit të çështjeve të sigurisë, Bahri Gashi, është trajtuar seriozisht nga faktori ndërkombëtar.

“Fakti që INTERPOL i ka futur të gjithë akterët përveç liderit të tyre, mund të themi se është arritur të merret me shumë seriozitet ky rast dhe të jemi sa më afër arrestimit të tyre dhe gjykimit të merituar”, deklaroi ai për UBTNews.

Në anën tjetër, sipas tij, pengesë për bashkëpunim me Serbinë në fushën e sigurisë mbetet mosnjohja reciproke.

Andaj të gjitha përpjekjet për bashkëpunim në fushën e sigurisë janë vënë në kornizën e dialogut Kosovë – Serbi.

“Sfida mbetet me Serbinë për shkak të mosnjohjes reciproke mes dy vendeve, prandaj i gjithë theksi i dialogut
është që Kosova dhe Serbia ta përmbyllin këtë kapitull dhe si rezultat i përmbylljes të fillojnë komunikimin më normal në raportin ndër institucional dhe ndër rajonal si shtete me përgjithësi kuptimplotë”, deklaroi ai.

Takimet e fundit mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq ndodhën në shtator të vitit 2023.

Prej asaj kohe, Bashkimi Evropian si ndërmjetësuese e dialogut mes dy shteteve ballkanike nuk ka thirrur më në asnjë takim./UBTNews/

Realizoi: Fjolla Gashi

Exit mobile version