UBT News

Profesori i Akademisë Ajrore të ShBA mban ligjëratë për studentët e Studimeve të Sigurisë në UBT

Në kuadër të ciklit të ligjëratave të lëndës “Strategjia Kombëtare e Sigurisë”, studentët e vitit të parë të programit të Studimeve të Sigurisë patën mundësinë të ndjekin një ligjëratë tematike të mbajtur nga një figurë e shquar ndërkombëtare në fushën e sigurisë – Profesori amerikan Col. Chad Austin.

Ligjërata u organizua nga Prodekani i Fakultetit të Studimeve të Sigurisë, Prof. Arian Kadriu dhe Prof. Shaip Osmani, dhe u zhvillua në një atmosferë dinamike dhe interaktive, ku të pranishmit patën mundësinë të përfshihen në diskutime të hapura mbi çështje aktuale të sigurisë globale.

Prof. Col. Chad Austin, i cili aktualisht ligjëron në United States Air Force Academy në Colorado Springs, ShBA, si dhe në European University Viadrina Frankfurt (Oder) në Brandenburg, Gjermani, solli një pasqyrë të thelluar mbi temat kyçe si: lidershipi në kontekste të tensionuara, kornizat ligjore të sigurisë, dhe proceset e negociatave gjatë konflikteve.

Gjatë prezantimit, Prof. Austin ndau përvoja konkrete nga puna e tij me misionet ushtarake ndërkombëtare, duke ndriçuar rëndësinë e përgatitjes akademike të studentëve të sigurisë për të kuptuar dhe menaxhuar situata të ndërlikuara në mjedise reale të konfliktit dhe diplomacisë ndërkombëtare.

Ky aktivitet është pjesë e vazhdimësisë së bashkëpunimit të Fakultetit të Studimeve të Sigurisë me Ushtrinë Amerikane dhe me ekspertë ndërkombëtarë të fushës së sigurisë, përmes ligjëratave tematike, tryezave të rrumbullakëta dhe konferencave shkencore. Kjo qasje e hapur dhe ndërkombëtare kontribuon ndjeshëm në zgjerimin e horizontit akademik të studentëve dhe në përgatitjen e tyre për sfidat e reja të sigurisë globale.

Exit mobile version