Një profesor i Universitetit të Kabulit grisi diplomat e tij në televizion drejtpërdrejt duke thënë se ai nuk e pranon këtë arsim nëse “nëna dhe motra e tij nuk mund të studiojnë”. Pamjet nga emisioni televiziv, tashmë virale, tregojnë profesorin duke i grisur certifikatat një nga një.
Sot nuk më duhen më këto diploma sepse ky vend nuk është vend për arsimim. Nëse motra ime dhe nëna ime nuk mund të studiojnë, atëherë unë NUK e pranoj këtë arsim”, tha ai, përcjell UBT News.
Ndonëse premtuan rregulla më të moderuara që respektonin të drejtat për gratë dhe pakicat, talibanët kohët e fundit shpallën një ndalim të pacaktuar të arsimit universitar për gratë afgane. “Ju njoftojmë të gjithë që të zbatoni menjëherë urdhrin e përmendur për pezullimin e shkollimit të femrave deri në një njoftim të dytë”, tha ministri i Arsimit të Lartë, Neda Mohammad Nadeem në një letër të dërguar për të gjitha universitetet qeveritare dhe private.
Njoftimi vjen pas disa ndryshimeve në rregullat e universitetit, përfshirë klasat dhe hyrjet e ndara sipas gjinisë. Gjithashtu, femrat lejoheshin të mësonin vetëm nga profesoresha ose burra të moshuar.
Talibanët gjithashtu kanë urdhëruar gratë të veshin veshje nga koka deri te këmbët në publik. Gratë gjithashtu janë të ndaluara nga parqet dhe palestrat dhe nuk mund të udhëtojnë pa një të afërm mashkull./UBTNews/