Një ekip i profesorëve të UBT-së, ka publikuar një punim shkencor të rëndësishëm me titull “Titujt e Gazetave të Shkruara të Ballkanit Perëndimor në Funksion të Paragjykimeve, Formimit të Mendimit Publik dhe Edukimit”. Studimi është bërë nga autorët Rexhep Suma, Ferid Selimi, Islam Hasani, Besnik Skenderi, Safet Zejnullahu dhe Denis Celcima, të cilët shqyrtojnë rolin e titujve të gazetave në formimin e opinionit publik dhe nxitjen e paragjykimeve brenda kontekstit të medias së Ballkanit Perëndimor.
Ky hulumtim, i cili analizon mediat shtypi të Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, ka si qëllim të ofrojë një kuptim të plotë të mënyrës se si media ndikon në perceptimin publik përmes fuqisë së titujve. Studimi thekson se si këta tituj shpesh reflektojnë paragjykimet e thella në këto shoqëri dhe si ata luajnë një rol të rëndësishëm në edukimin dhe informimin e publikut.
Qëllimi kryesor i studimit është të analizojë se si titujt e mediave të shkruara kontribuojnë në paragjykim, formimin e opinionit publik dhe edukimin. Metodologjia e kërkimit përfshiu analizimin e titujve të një gazete kryesore nga secili nga këto tri shtete. Artikujt u shqyrtuan dhe titujt që konsideroheshin paragjykuese ose që kishin funksionin e formimit të opinionit publik u ndanë për analizë të mëtejshme.
Gjetjet e kërkimit hedhin dritë mbi rolin e rëndësishëm që luajnë titujt e mediave në formimin e qëndrimeve publike, veçanërisht për çështje të ndjeshme gjeopolitike, siç është lufta Rusia-Ukrainë. Nëpërmjet këtij këndvështrimi, studimi zbulon se si gazetat e Ballkanit Perëndimor e lidhin veten me narrativat ndërkombëtare të caktuara, duke ndikuar kështu në opinionin publik. Studimi gjithashtu thekson ndikimin e këtyre titujve në ruajtjen dhe përjetësimin e paragjykimeve ekzistuese në shoqëri.
Autorët rekomandojnë që organizatat mediatike të investojnë në trajnimin e gazetarëve për të siguruar një raportim të drejtë dhe objektiv. Po ashtu, redaktorët duhet të trajnohen për të zgjedhur me kujdes titujt, duke shmangur ato që mund të forcojnë paragjykimet ose të dezinformojnë publikun. Ky punim thekson rëndësinë e gazetarisë përgjegjëse për të nxitur një diskutim publik më të informuar dhe më pak të ndikuar nga paragjykimet.
Puna e profesoreve të UBT-së kontribuon në mënyrë të rëndësishme në fushën akademike duke ofruar një ekzaminim kritik të rolit të medias në Ballkanin Perëndimor./UBTNews/