UBT News

Profesorët e UBT-së publikojnë studim mbi përdorimin e antibiotikëve gjatë pandemisë në revistën prestigjioze “Pharmacoepidemiology”

Profesorët dhe kërkuesit shkencorë nga UBT kanë shënuar një tjetër arritje të rëndësishme në fushën e kërkimit ndërkombëtar me publikimin e punimit të tyre më të ri shkencor në revistën prestigjioze “Pharmacoepidemiology”, e cila është e indeksuar në platformat më të larta akademike botërore, Scopus dhe Web of Science.

Punimi me titull “Determinants and Temporal Trends of Inappropriate Azithromycin Use in Hospitalized Adults with COVID-19: A Retrospective Pharmacoepidemiologic Cohort Study” vjen si rezultat i bashkëpunimit të një ekipi të dalluar profesorësh ku autorë janë Fitim Alidema nga Fakulteti i Farmacisë në UBT, Arieta Hasani Alidema nga Fakulteti i Infermierisë në UBT, Miranda Sejdiu Abazi nga Fakulteti i Stomatologjisë në UBT, si dhe bashkëpunëtorët Saranda Sejdiu Sadiku dhe Arben Abazi.

Ky studim i rëndësishëm trajton në mënyrë të detajuar modelet e përdorimit të azitromicinës tek pacientët e rritur të hospitalizuar gjatë pandemisë COVID-19, duke u fokusuar në identifikimin e faktorëve dhe prirjeve kohore që kanë ndikuar në përshkrimin e këtij antibiotiku. Përmes një analize të hollësishme retrospektive, autorët kanë vlerësuar përputhshmërinë e praktikave klinike me parimet e përdorimit racional të barnave antimikrobike në kushtet e një urgjence shëndetësore globale.

Gjetjet e këtij hulumtimi sjellin një kontribut të çmuar në forcimin e praktikave të “Antimicrobial Stewardship” (menaxhimit të antibiotikëve) dhe në promovimin e përdorimit të arsyeshëm të tyre nëpër spitale. Në një kohë kur rezistenca antimikrobike konsiderohet si një nga sfidat më të mëdha dhe më kërcënuese për shëndetin publik në nivel global, ky studim ofron të dhëna të rëndësishme për komunitetin mjekësor për të shmangur përdorimet e pambështetura nga udhëzuesit klinikë.

Ky publikim, dëshmon edhe një herë përkushtimin e lartë të UBT-së dhe stafit akademik për të prodhuar kërkim shkencor të aplikuar me ndikim të drejtpërdrejtë në shkencat mjekësore, duke e rreshtuar institucionin krahas universiteteve më të njohura ndërkombëtare. /E.A/

Exit mobile version