Profesorët e UBT-së në Prishtinë kanë publikuar një punim shkencor të titulluar “Understanding gap between perception and expectations for artificial intelligence: Implications for sustainable development goals 4 and 9”, i cili është botuar në revistën Edelweiss Applied Science and Technology. Ky artikull është një studim i fokusuar në analizimin e hendekut midis perceptimeve dhe pritshmërive të studentëve kosovarë lidhur me përdorimin e inteligjencës artificiale gjatë mësimit dhe arsimit.
Punimi është kryer nga autorët Besnik Skenderi, Safet Zejnullahu, Diamanta Skenderi, dhe Ferid Selimi, të cilët janë pjesë e stafit akademik të UBT-së. Ata kanë zhvilluar këtë kërkim për të hetuar se si studentët e trajnuar në inteligjencën artificiale, të cilët janë certifikuar nga Microsoft, e perceptojnë dhe e presin këtë teknologji në kontekstin e mësimit. Studimi i tyre tregon se ka një hendek të dukshëm midis perceptimit të studentëve dhe pritshmërive që ata kanë për ndikimin e AI në mësimdhënie.
Në këtë kontekst, artikulli thekson rëndësinë e Qëllimit të Zhvillimit të Qëndrueshëm 4 (Arsim i Cilësisë) dhe Qëllimit 9 (Industria, Inovacioni dhe Infrastruktura), duke u fokusuar në rëndësinë e arsimimit inkluziv dhe të barabartë për inteligjencën artificiale dhe nevojën për infrastrukturë të qëndrueshme dhe inovative për AI. Autorët e punimit theksojnë që përmes përdorimit të teknologjisë adaptuese të mësimit, e cila është një formë e AI-së që ka ndikim në psikologjinë e studentëve, mund të personalizohet përvojë e mësimit, duke bërë që të jetë më efektive dhe e përshtatur me stilin e mësimit të çdo studenti.
Ky studim ka përdorur mostra të qëllimshme (purposive sampling), pasi kishte akses në bazën e të dhënave që tregonte se cilët studentë kishin marrë trajnim dhe ishin certifikuar për inteligjencën artificiale nga Microsoft. Rezultatet e studimit tregojnë se ky lloj mësimi rrit angazhimin dhe motivimin e studentëve, duke e bërë procesin e mësimit më të efektshëm dhe më të përshtatshëm për nevojat e individëve.
Punimi i plotë mund të gjendet në revistën Edelweiss Applied Science and Technology, me numrin ISSN: 2576-8484, dhe është botuar në vitin 2024./UBTNews/