Hajdi Xhixha, profesoresha e Shkencave Politike në UBT, në bashkëautorësi me Ronen Itsik dhe Alona Hagay Frey, ka publikuar një punim shkencor të titulluar “Democracy and the ‘citizen-soldier’ military: The case of Kosovo and Israel”, i cili është publikuar në Security and Defence Quarterly. Ky punim ka si qëllim të shqyrtojë mundësinë e implementimit të modelit të “citizen-soldier” në Kosovë, duke u krahasuar me praktikat dhe përvojat e Izraelit. Ky studim ka si fokus të analizojë mënyrën se si një shtet i ri dhe i vogël demokratik si Kosova mund të krijojë një ushtri që ka jo vetëm funksion mbrojtës, por edhe një rol të rëndësishëm social.
Ky studim është krahasues dhe i orientuar në dy shtete që kanë kaluar përmes periudhave të luftës dhe që janë shtete të vogla demokratike: Izraeli dhe Kosova. Izraeli ka implementuar modelin e “citizen- soldier” që nga themelimi i tij në vitin 1948, ndërsa Kosova, pas një periudhe të mbështetjes nga NATO, po shqyrton mundësinë e adoptimit të këtij modeli për forcën e saj ushtarake. Kjo është një mundësi për të krijuar një ushtri që do të mbrojë shtetin dhe, njëkohësisht, do të ketë një ndikim pozitiv në forcimin e kohezionit shoqëror dhe stabilitetit kombëtar të Kosovës.
Në artikull, autorët kanë trajtuar disa elemente të rëndësishme të modelit të “citizen- soldier”. Ata theksojnë se për të zbatuar një model të tillë, ai duhet të mbështetet në kulturën dhe kushtetutën e një shteti demokratik, pasi një balancim i duhur mes të drejtave dhe detyrimeve të qytetarëve është jetik për të shmangur tensionet sociale. Në këtë drejtim, hulumtimi i autorëve përfshin analizën e aspektëve kushtetuese, kulturore dhe shoqërore të një ushtrie të tillë, duke shqyrtuar mundësitë dhe sfidat që mund të dalin nëse modelin do të përdorte Kosova.
Një pjesë e rëndësishme e hulumtimit është vlerësimi i mënyrës se si grupe të ndryshme shoqërore dhe kulturore, që mund të jenë të përjashtuara nga shërbimi ushtarak në përvoja si ato të Izraelit, mund të integrohen dhe të kontribuojnë në forcimin e unitetit kombëtar dhe shoqëror në Kosovë.
Autorët theksojnë se Kosova mund të adoptojë praktikat pozitive të Izraelit për të siguruar një integrim social të qytetarëve të saj në ushtrinë e Kosovës. Ky proces mund të përfshijë menaxhimin e diversitetit shoqëror dhe balancimin e përjashtimeve që mund të ndodhin për arsye kulturore ose fetare, duke u bazuar në përvojën izraelite dhe duke minimizuar disa nga dobësitë që ka pasur ky model në Izrael.
Një pjesë e rëndësishme e studimit është identifikimi i sfidave që lidhen me implementimin e modelit të “citizen- soldier” në një shoqëri demokratike. Autorët theksojnë se është e nevojshme një analizë e thellë e ndarjeve shoqërore dhe kulturore që mund të shfaqen kur një shtet kërkon që qytetarët të marrin pjesë në shërbimin ushtarak. Pjesë e rëndësishme e këtij procesi është përdorimi i sistemit arsimor si një agjent të socializimit, për të ndihmuar qytetarët që të kuptojnë rëndësinë e detyrës kombëtare dhe të jenë të gatshëm të kontribuojnë për forcimin e shtetit.
Qëllimi i këtij punimi është të ofrojë përgjigje për pyetjen kërkimore kryesore: Çfarë mund të mësojë qeveria e Kosovës nga përvoja e Izraelit në lidhje me modelin e “citizen- soldier?”.
Studimi shqyrton gjithashtu se si Kosova mund të ndjekë një qasje të tillë për të ndërtuar një ushtri që ka një rol shoqëror dhe mbrojtës, duke forcuar stabilitetin kombëtar dhe aftësinë mbrojtëse të shtetit, dhe duke siguruar një balancim të drejtë mes të drejtave dhe detyrimeve të qytetarëve.
Ky punim sjell një analizë të rëndësishme dhe ofron një perspektivë të re për ndërtimin e një ushtrie moderne dhe demokratike, duke nxjerrë mësime nga praktikat e Izraelit dhe duke theksuar rëndësinë e një qasjeje të balancuar që synon përforcimin e unitetit shoqëror dhe të sigurisë kombëtare në shtete si Kosova./UBTNews/D.E.