Prof. Dr. Sc. Naser Morina, ligjërues në Fakultetin e Ndërtimtarisë në UBT, është zgjedhur anëtar i Bordit Editorial të gazetës “Science Publishing Group”, me seli në New York të SHBA. Mandati i tij do të jetë trevjeçar, duke filluar nga 5 nëntori 2024 dhe duke përfunduar më 5 nëntor 2027. Ai është një ndër 61 anëtarët e rinj të bordit të kësaj gazete prestigjioze shkencore.
Në rolin e tij, Prof. Morina do të kontribuojë në vlerësimin dhe shqyrtimin e punimeve shkencore për Journal of Civil, Construction and Environmental Engineering, një revistë ndërkombëtare e njohur për përmbajtjen e saj të lartë shkencore dhe kërkimore në fushën e inxhinierisë civile, ndërtimtarisë dhe inxhinierisë mjedisore.
Ky emërim është një arritje e rëndësishme për Prof. Morinën dhe gjithashtu një tregues i cilësisë dhe profesionalizmit të lartë të profesorëve që ligjërojnë në UBT. Angazhimi i tij në një projekt të tillë prestigjioz është një dëshmi e angazhimit të Universitetit të Biznesit dhe Teknologjisë për rritjen e standardeve dhe avancimin e kërkimeve shkencore ndërkombëtare./UBTNews/