Prof. Dr. Alfred Marleku, profesor në Fakultetin e Shkencave Politike të UBT-së, ka publikuar së fundmi recensionin e tij shkencor në revistën prestigjioze ndërkombëtare Defense & Security Analysis, e cila botohet nga Routledge, një ndër shtëpitë botuese akademike më të njohura në fushën e sigurisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.
Recensioni mban titullin “Great power cyber competition: competing and winning in the information environment” dhe trajton librin e botuar nga David V. Gioe dhe Margaret W. Smith, i cili analizon dimensionet strategjike të konkurrencës kibernetike mes fuqive të mëdha si SHBA, Rusia dhe Kina.
Në artikullin e tij, Prof. Marleku vlerëson librin si një përmbledhje gjithëpërfshirëse të mënyrës se si operacionet kibernetike dhe lufta e informacionit po formësojnë rivalitetin global. Ai thekson se konkurrenca në hapësirën kibernetike nuk është më vetëm një çështje teknike, por një fushëbetejë strategjike ku shtetet përdorin mjete jo-kinetike për të ndikuar në narrativat ndërkombëtare, për të avancuar interesat e tyre dhe për të sfiduar demokracitë perëndimore.
Recensioni nxjerr në pah analizat mbi operacionet kibernetike të Rusisë dhe Kinës, si dhe rastet studimore mbi ndikimin e tyre në Afrikë, Amerikën Latine dhe veçanërisht në luftën në Ukrainë. Sipas Marlekut, libri kontribuon në kuptimin e dimensioneve të reja të sigurisë ndërkombëtare, përfshirë edhe rolin e inteligjencës publike, operacioneve psikologjike dhe bashkëpunimit ndërmjet sektorit publik dhe atij privat në fushën e sigurisë kibernetike.
Megjithëse libri paraqet një hyrje të vlefshme në temën e garës në fushën kibernetike, Prof. Marleku vëren se libri mbetet i kufizuar në disa aspekte. Së pari, mungon një analizë më e thelluar në literaturën më të re dhe debatet akademike aktuale, gjë që e bën më pak të dobishëm për studiuesit e avancuar në një fushë kaq dinamike si siguria kibernetike. Së dyti, për shkak të mbizotërimit të burimeve nga stidiues amerikanë dhe britanikë, analiza është e kornizuar kryesisht nga një perspektivë perëndimore, çka mund të krijoj një qasje të njëanshme. Së fundi, megjithëse theksohet nevoja për strategji më të sofistikuara nga demokracitë perëndimore, mungojnë rekomandime konkrete dhe hapa praktikë, duke e lënë të paplotë kërkesën për një udhërrëfyes strategjik të qartë.
Publikimi i Prof. Marlekut përbën një kontribut të rëndësishëm në literaturën e studimeve të sigurisë, duke reflektuar mbi një nga temat më kritike të epokës sonë: rivalitetin e fuqive të mëdha në domenin kibernetik dhe atë të informacionit./UBTNews/
Recensioni i plotë mund të lexohet në: https://www.tandfonline.com/eprint/RW7BBZDIY4R9GTS2KYAB/full?target=10.1080/14751798.2025.2542601