UBT News

Prof. Blerim Canaj në “InsidePolitics with Anisa”: Demokracia në Kosovë mes formalitetit, liderëve të fortë dhe rolit të mediave

Në podcastin “InsidePolitics with Anisa I”, i ftuar ishte profesori i shkencave politike në UBT, Blerim Canaj, i cili foli për gjendjen e demokracisë në Kosovë dhe në rajon, duke ngritur dilema mbi mënyrën se si ajo funksionon në praktikë.

Canaj tha se nëse demokracia shihet nga këndvështrimi historik që nga Greqia antike, atëherë shqetësimet e filozofëve si Platoni dhe Aristoteli mund të jenë ende relevante edhe sot. Sipas tij, shpesh krijohet përshtypja se sot jetojmë në një demokraci formale.

“Kam përshtypjen se ne sot jetojmë në një demokraci formale. Kemi zgjedhje, dhe në Kosovë ato madje janë për t’u lavdëruar krahas rajonit, por demokracia nuk nënkupton vetëm votimin,” u shpreh ai.

Sipas Canajt, demokracia nuk kufizohet vetëm te votimi, por përfshin edhe funksionimin e shoqërisë civile dhe mediave. Ai theksoi se në realitetin ballkanik, rol të madh shpesh luan edhe fuqia financiare dhe mënyra se si ajo ndikon në proceset politike.

Në Ballkan shpesh rol të madh luan kush i ka paratë. Fatkeqësisht, në periudhën e zgjedhjeve shpesh shohim sulme ndaj mediave dhe përdorim të buxhetit të shtetit, gjë që e dëmton zgjedhjen e lirë dhe të barabartë,” tha ai.

Ai shtoi se në shumë raste kjo krijon avantazh për ata që kanë më shumë burime financiare dhe e deformon garën demokratike.

Duke folur për fenomenin e “liderëve të fortë”, profesori Canaj u shpreh se në shoqërinë tonë ende nuk mbizotërojnë partitë programore, por kulti i liderit. Sipas tij, kjo ka ndikuar që vëmendja të largohet nga programet politike dhe të fokusohet te individi.

“Nuk fokusohemi te programet politike, por te kulti i liderit. Dhe nga kjo shpesh prodhohen edhe deputetë që nuk janë të përgatitur sa duhet,” u shpreh ai.

Ai theksoi se kjo qasje ka sjellë edhe largimin e njerëzve profesionalë nga politika, pasi shpesh përballja me kandidatë më pak të përgatitur krijon frustrim. Sipas tij, kjo ka ndikuar në forcimin e kultit të liderit dhe në krijimin e një dinamike ku lideri shihet si figurë qendrore, pothuajse “si baba”, ndërsa mbështetësit ndihen pjesë e një strukture familjare politike.

Në pjesën për mediat, Canaj tha se ato kanë rol thelbësor në funksionimin e demokracisë dhe në informimin e qytetarëve. Ai i konsideroi mediat si një lloj “qeverie në vete”, për shkak të ndikimit që kanë në shoqëri dhe në politikë.

“Po të mos ishin mediat, njerëzit nuk do t’i dinin të mirat dhe të këqijat e një vendi. Unë mediat i shoh si një qeveri në vete,” u shpreh ai.

Sipas tij, një shoqëri që i sulmon mediat rrezikon të rrëshqasë drejt tendencave autokratike, ndërsa theksoi se pa media të lira dhe funksionale nuk mund të flitet për demokraci të mirëfilltë, pavarësisht sfidave dhe problemeve që mund të ekzistojnë brenda vetë mediave.

Exit mobile version