UBT News

Produktet për zbardhjen e lëkurës ende përdoren në Kamerun pavarësisht rreziqeve

Në Kamerun, 63-vjeçarja Jeanne mbante një kapelë për të mbrojtur fytyrën nga rrezet e diellit, për shkak se u diagnostikua me kancer të lëkurës pasi përdori produkte për zbardhjen e lëkurës.

Ajo është një nga shumë gra në Kamerun që përdorin këto produkte që tashmë janë ndaluar pas reagimit në rrjete sociale.

“Turpërohem kur njerëzit më shikojnë”, deklaroi ajo, duke kërkuar që t’i publikohet vetëm emri.

Pas problemeve me lëkurë, ajo u kontrollua te një mjek, ku edhe u diagnostikua me një kancer të rrallë të lëkurës. Sipas mjekëve, kanceri u shkaktua nga përdorimi i produkteve për zbardhjen e lëkurës për 40 vjet. Jeanne, si miliona gra në mbarë botën, i përdori produktet për lëkurë më të mirë.

Sipas Shoqatës së Dermatologjisë së Kamerunit (Socaderm), gati 30 për qind e banorëve në kryeqytetin ekonomik Douala dhe një e katërta e nxënëseve përdorën këto produkte në vitin 2019.

Për disa si studentja 20-vjeçare Annette, efektet mund të jenë të ashpra. Ajo tha se vuan nga njolla të kuqe në fytyrë dhe gjithashtu djegie.

Produktet me emra si “White now” dhe “Super white”, dallohen menjëherë në raftet e dyqaneve.

Kimikatet e rrezikshme

Reagimi ndaj këtij produkte filloi gjatë verës pasi përdoruesit e rrjeteve sociale kritikuan deputeten e opozitës, Nourane Fotsing, për kompaninë e saj që shet produktet, siç thanë ata një deputete e zgjedhur synon të përfitojë nga ta.

Shumë prej produkteve nuk janë testuar kurrë shkencërisht dhe përmbajnë nivele të rrezikshme të kimikateve që pengojnë prodhimin e melaninës, një substancë e prodhuar në trup nga ekspozimi ndaj diellit.

Një nga kimikatet është hidrokinoni, i ndaluar në Bashkimin Evropian që nga viti 2001 për shkak të rrezikut të kancerit dhe mutacioneve gjenetike.

Ministria e Shëndetësisë e Kamerunit më 19 gusht ndaloi importin, prodhimin dhe shpërndarjen e produkteve kozmetike dhe të higjienës personale që përmbajnë substanca të rrezikshme si hidrokinoni dhe merkuri. Hidrokinoni është në fakt një nga produktet më të përdorura në zbardhjen e lëkurës në Kamerun, sipas një studimi të vitit 2019 nga Universiteti Yaounde I./UBTNews/

Exit mobile version