Prodhuesi danez i barnave Bavarian Nordic, laboratori i vetëm që prodhon një vaksinë të licencuar kundër lisë së majmunëve, njoftoi të martën një marrëveshje të rishikuar të furnizimit me Kanadanë me vlerë deri në 470 milionë dollarë.
Marrëveshja me agjencinë e shëndetit publik të Kanadasë është me vlerë rreth 234 milionë dollarë, me një shtesë prej 180 milionë dollarë opsione të kontratës për doza të mëtejshme për 10 vjet, tha kompania në një deklaratë.
I tregtuar si Jynneos në Shtetet e Bashkuara, Imvanex në Evropë dhe Imvamune në Kanada, vaksina është kundër lisë, një sëmundje vdekjeprurëse e zhdukur në vitin 1980, që aktualisht përdoret kundër lisë së majmunëve.
Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh), që nga 19 shtatori, ka pasur 61 mijë e 753 raste të konfirmuara dhe 23 vdekje të lidhura në më shumë se 100 vende, pjesa dërrmuese e të cilave janë në Evropë dhe Amerikën e Veriut.
Megjithatë, që nga mesi i gushtit, numri i rasteve të reja ditore ka ardhur duke u ngadalësuar.
Lia e majmunëve nuk është zakonisht fatale, por shpesh manifestohet përmes etheve, dhimbjeve të muskujve, ënjtjes së nyjeve limfatike, të dridhura, rraskapitjes dhe një skuqjeje të lëkurës.
Pothuajse të gjitha rastet e deritanishme kanë qenë tek meshkujt që kryejnë marrëdhënie seksuale me meshkuj dhe OBSh-ja ka paralajmëruar kundër stigmatizimit të të infektuarve, duke theksuar se sëmundja mund të prekë këdo. /UBTNews/