10 tetori është Dita Botërore e Shëndetit Mendor, një ngjarje e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh) për të “rritur ndërgjegjësimin për çështjet e shëndetit mendor në mbarë botën dhe për të mobilizuar përpjekjet në mbështetje të shëndetit mendor”.
Mbrojtësit e shëndetit mendor, përfshirë OBSh-në, kanë bërë përpjekje të fuqishme për të reformuar kujdesin ndaj shëndetit mendor për dekada të tëra. Këtë vit, ata theksojnë se ngjarjet sikurse pandemia e deri te rënia ekonomike – kanë pasur ndikim të madh në shëndetin mendor në mbarë botën.
Sipas raportit botëror të Shëndetit Mendor nga OBSh-ja, që u publikua në fillim të këtij viti, depresioni dhe ankthi u rritën me 25% në vitin e parë të pandemisë, duke e çuar numrin e përgjithshëm të njerëzve që jetojnë me çrregullime mendore në gati 1 miliard njerëz.
“Për më tepër, shërbimet e shëndetit mendor janë ndërprerë vitet e fundit dhe hendeku i trajtimit për problemet e shëndetit mendor është zgjeruar”, tha një zëdhënës i OBSh-së për DW.
Pra, çfarë po bëhet për këtë? Në vitin 2020, OBSh themeloi Iniciativën Speciale për Shëndetin Mendor. Është ndër programet më ambicioze të OBSh-së për shëndetin mendor deri më tani, duke synuar të rrisë qasjen në shërbimet e shëndetit mendor për 100 milionë njerëz në 12 vende, përfshirë Ukrainën, Jordaninë dhe Zimbabvenë.
Qëkur kjo nismë filloi në janar të vitit 2020, 5 milionë njerëz të tjerë kanë fituar qasje në shërbimet e shëndetit mendor dhe mbështetje psikosociale, sipas OBSh-së. Mbështetja psikosociale përfshin ndërtimin e rrjeteve rreth njerëzve në nevojë, shpesh përmes familjeve dhe strukturave lokale./UBTNews/