Kryebashkiaku liberal dhe pro-evropian i Bukureshtit, Nicusor Dan ka fituar sfidën e fortë përballë nacionalistit George Simion, për drejtimin e presidencës së vendit, i përfshirë prej disa muajsh nga një turbulencë politike.
George Simion, kryetar i partisë ekstremiste të djathtë AUR, fitoi bindshëm raundin e parë të mbajtur më herët gjatë muajit, duke nxitur një valë zemërimi tek qytetarët rumunë.
Por të dielën, ishte Nicusor Dan, që arriti fitoren me 53.6 për qind të votave, edhe pse Simion pati më shumë sukses nga votat e diasporës rumune.
“Ne duhet ta ndërtojmë Rumaninë së bashku, pavarësisht për kë votuat”, deklaroi Dan pasi fitorja e tij ishte e sigurt.
Rreth 11.5 milionë rumunë votuan në balotazhin e së dielës dhe Dan siguroi mbështetjen e më shumë se 6 milionëve.
Matematikani priti deri pas mesnate përpara se të prononcohej i sigurt që shifrat ishin në anën e tij dhe vetëm atëherë iu drejtua mbështetësve të mbledhur në një park përballë Bashkisë së Bukureshtit.
Ata u entuziazmuan dhe brohoritën emrin e tij. “Një numër i madh qytetarësh rumunë, që duan një ndryshim të thellë në Rumani, fituan zgjedhjet”, u shpreh Dan në fjalimin e mbajtur.
Ndërsa Simion, në reagimin e tij, pranoi humbjen.