Janë arrestuar dy persona të dyshuar meshkuj kosovarë, dje rreth orës 18:00 në Prizren, pas një hetimi disa mujor lidhur me veprat penale të posedimit të narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje.
Me vendim të gjyqtarit, janë kontrolluar një shtëpi dhe dy lokale që dyshohet se përdoreshin nga të dyshuarit për paketim, shitje dhe shpërndarje të substancave narkotike të llojit kokainë.
Gjatë kontrollit, policia ka sekuestruar një sasi të konsiderueshme provash, përfshirë: një motoçikletë, dy telefona mobilë, para të gatshme, si dhe 13 qese najloni me substancë të dyshuar narkotike (kokainë) me peshë rreth 336.92 gram. Po ashtu, është gjetur edhe një kavanoz me substancë të njëjtë me peshë rreth 115.15 gram, qese të zbrazëta me mbetje narkotike, peshore digjitale dhe mjete të tjera që dyshohet se përdoreshin për përgatitjen dhe shpërndarjen e narkotikëve. Në mesin e provave të sekuestruara janë edhe dy armë zjarri , një pistoletë me një karikator të zbrazët dhe një tjetër e çmontuar pa karikator si dhe mjete të tjera të dyshimta.
Sipas raportimit të fundit të Policisë , vlera e përgjithshme e substancave narkotike të sekuestruara arrin rreth 30 mijë euro.
Të dyshuarit janë arrestuar dhe, pas intervistimit, me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje, ndërsa rasti vazhdon të hetohet.
