Ministria e Kulturës ka organizuar sot pritje shtetërore për nder të kampionëve dhe ekipit olimpik të cilët kanë përfaqësuar Kosovën në Lojërat Olimpike në Paris 2024.
Për t’i pritur kampionët në sheshin “Xhorxh Bush”, kishin dalur edhe qytetarë.
Aty u tha se këta sportistë shënuan histori.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se sot Kosova është me një ekip të shkëlqyer kampionësh.
Sipas tij, në Lojërat Olimpike në Paris secili sportist i yni ka arritur ta thyejë së paku një rekord për vete.
“Sot këtu para jush jemi me një ekip të shkëlqyer kampionësh, me një ekip që na bën krenar anë e mbanë botës kudo që shkon, nga Rio në Tokio e nga Tokio në Paris….Kësaj radhë prijese të suksesit tonë sportiv në Olimpiadën e Parisit ishin dy xhudistët tona Distria Krasniqi dhe Laura Fazliu…Me shumë punë edhe më me shumë disiplinë dhe gjithnjë me përkushtim ekipi jonë i xhudos arrit që ta mbajë traditën tonë si shtet për të fituar medalje olimpike në secilën olimpiadë që kemi marrë pjesë deri më tani…E në këto Lojërat Olimpike në Paris gati se secili sportist i yni ka arritur ta thyejë së paku një rekord për vete. Distria është sportistja jonë e parë që arrin të ketë dy medalje olimpike, një të artë dhe një të argjendtë…Nora sportistja e parë e Kosovës që shënon pjesëmarrje të trefishtë në Lojëra Olimpike në Rio, në Tokio dhe në Paris”, ka thënë Kurti.
Kurse, trajneri i xhudos Driton Kuka, ka deklaruar se për të tretën herë me radhë nga Lojërat Olimpike po kthehen me medalje.
“Është nder dhe kënaqësi që po ju shoh këtu që jeni ardhë , tashmë për të tretën herë me radhë në këto Lojëra Olimpike po kthehemi me medalje…Përshëndetje për të gjithë sportistët jo vetëm të sportit të xhudos por edhe të cilët kanë pas një performancë jashtëzakonisht të mirë me pak fat. Ndoshta do të kishim medalje edhe nga sporti i boksit e po presim që në olimpiadat e ardhshme të kemi tri ose katër sporte, ose pesë që do të jenë kandidatë për të fituar medalje dhe kjo do të më bënte edhe më shumë të lumtur sepse tash kemi edhe një projekt tjetër i cili do të qes në pah talentet që i kemi. E kemi dëshmuar që me punë serioze, ja kemi dëshmuar krejt botës kanë virtyte, kanë vlera sepse kemi ndërtuar nga një shtet shumë i vogël tashmë pesë medalje olimpike dhe do të vazhdojmë tutje”, ka deklaruar Kuka.
Ndërsa, xhudistja e cila fitoi medaljen e argjendtë në Lojërat Olimpike në Paris, Distria Krasniqi, tha se është krenare që ka sjellë medalje në Kosovë.
“Jam shumë krenare që jam një ndër medalistet që kemi pru medalje për Kosovën dhe po ndihem shumë e lumtur që është medalja e dytë që i sjellë Kosovës nga Lojërat Olimpike. Faleminderit shumë për mbështetjen. Mbështetja juaj ka qenë forca ime dhe është gjithmonë. E di që nuk do të ndalemi me kaq sidomos sporti jonë, shpresoj edhe sportet tjera dhe shpresoj shumë që do të mblidhemi shumë shpesh kështu së bashku t’i festojmë edhe sukseset tjera”, ka shtuar ajo.
E, xhudistja Laura Fazliu, e cila i solli Kosovës medaljen e bronztë deklaroi se ndihet krenare për medaljen e fituar.
“Faleminderit që jeni dalë këtu me i festu së bashku medaljet olimpike. Para 10 viteve kur Toni më ka thirrë me u bë pjesë e klubit kur unë u largova prej familjes sepse kjo ka qenë ëndrra ime që të bëhem pjesë e këtij klubi dhe sot me këtë medalje olimpike jam shumë krenare. Falemnderit shumë Tonit, Majlindës, klubit dhe të gjithë atyre që na kanë ndihmuar që të kemi këto suksese”, ka thënë ajo
Ekipi olimpik i Kosovës u kthye në vend me dy medalje olimpike nga nëntë të mundshme nga Lojërat Olimpike.
Distria Krasniqi e fitoi medaljen e argjendtë, kurse Laura Fazliu të bronztën.
Kosova shkoi në Paris me nëntë atletë në sporte të ndryshme si, xhudo, not, atletikë dhe boks./UBTNews/