Zyrtarët policorë të rajonit të Prishtinës kanë vazhduar aktivitetet e shtuara gjatë javës së kaluar në lokacione të ndryshme dhe aksione të ndara.
Sipas të dhënave zyrtare, janë realizuar gjithsej 212 urdhëresa të gjykatës, prej të cilave 61 për vepra penale, ndërsa pjesa tjetër për kundërvajtje, seanca dhe verifikime të ndryshme.
Pas përfundimit të procedurave, personat e dënuar me burg janë dërguar për vuajtje të dënimit, ndërsa ata me gjoba janë liruar pasi kanë përmbushur obligimet e përcaktuara në urdhëresa.
Në kuadër të aktiviteteve të sigurisë, policia ka sekuestruar edhe 4 armë zjarri të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, si dhe municione.
Ndërkohë, në fushën e trafikut rrugor, janë shqiptuar 3.595 masa administrative me gjobë për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor, prej të cilave 591 janë evidentuar nga vetura inteligjente dhe radarët mobilë.
Policia ka bërë të ditur se aktivitetet do të vazhdojnë me intensitet të shtuar për rritjen e sigurisë publike dhe respektimin e ligjit.
/A.K/
