Zyrtarët policorë të rajonit të Prishtinës kanë vazhduar aktivitetet e tyre gjatë javës së kaluar në lokacione të ndryshme dhe aksione të ndara operative.
Sipas të dhënave zyrtare, janë realizuar gjithsej 134 urdhëresa të gjykatës, prej të cilave 35 kanë të bëjnë me vepra penale, ndërsa pjesa tjetër me kundërvajtje, seanca gjyqësore dhe verifikime të ndryshme.
Pas përfundimit të procedurave policore, personat e dënuar me burgim janë dërguar për vuajtje të dënimit, ndërsa ata të dënuar me gjobë janë liruar pas përmbushjes së obligimeve të përcaktuara në urdhëresa.
Në kuadër të aktiviteteve të tjera të sigurisë, policia ka sekuestruar 10 armë zjarri të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, si dhe sasi të municionit.
Ndërkohë, në fushën e sigurisë në trafikun rrugor, janë shqiptuar gjithsej 3,814 masa administrative me gjobë për shkelje të ndryshme të kodit rrugor, prej të cilave 567 janë evidentuar nga vetura inteligjente dhe radarët mobilë.
/A.K/
