Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona në rrugën “Nikollë Ivanaj” në Prishtinë, nën dyshimin për posedim të paautorizuar të narkotikëve.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë kontrollit të realizuar në orën 19:45, tek të dyshuarit janë gjetur dhe konfiskuar 28.5 gramë substancë që dyshohet të jetë marihuanë. Më pas, gjatë bastisjes në shtëpinë e njërës prej tyre, policia ka zbuluar edhe 56.6 gramë të njëjtës substancë, një peshore digjitale dhe dy paketime me foli që dyshohet se shërbenin për paketim të narkotikëve.
“Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë, pasi që gjatë kontrollit u janë gjetur dhe konfiskuar 28.5 gramë substancë që dyshohet të jetë narkotike e llojit marihuanë, ndërsa gjatë kontrollit në shtëpinë e njërit të dyshuar janë gjetur edhe 56.6 gramë substance narkotike, një peshore digjitale dhe dy paketime me foli për paketim të narkotikeve. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.” thuhet në njoftim.
Pas përfundimit të procedurave policore dhe intervistimit, me vendim të prokurorit të rastit, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt./D.B/UBTNews