UBT News

“Prishtina Parking” nis ekzekutimin e pagave

Ndërmarrja Publike “Prishtina Parking” ka nisur ekzekutimin e pagave për punëtorët, ka njoftuar ushtruesi i detyrës së kryeshefit të ndërmarrjes, Milot Mahmutaj.

Pas protestës së punëtorëve të martën për shkak të vonesës së pagës, Mahmutaj ka njoftuar se procesi i ekzekutimit të pagave ka filluar dhe se ato do të kalojnë në llogaritë e tyre pasi të përpunohen nga bankat.

“Po siç e dini qysh kemi probleme financiare ne si një vit e gjysmë, që kjo është problemi që ka ndodhë. Ne sot veç ka filluar procesi i ekzekutimit të pagave, e tash deri sa të procesohen. Kemi komunikuar edhe me sindikatën edhe jemi marrë vesh që sot dalin pagat, qysh të janë mundësitë”, ka thënë Mahmutaj.

Ai shtoi se do të angazhohet për tejkalimin e situatës, ndërsa problemet financiare i lidhi me vendimin e Gjykatës Themelore që ka shfuqizuar disa pika të rregullores.

“Unë jam ushtrues detyre që pesë ditë edhe kjo është gjendja. Unë do të mundohem sa të mundem, sa të kam mundësi. Po këto shkaktarët janë siç dihet, vendimi i Gjykatës Themelore. I ka shfuqizuar disa pika edhe tash deri sa të rregullohet rregullorja e re do të ketë kështu probleme. Po sot ka nis ekzekutimi, tash deri sa të procesohen nëpër banka”, tha Mahmutaj.

Më herët gjatë ditës, një pjesë e punëtorëve të “Prishtina Parking” protestuan duke kërkuar ekzekutimin e pagave, ndërsa Sindikata paralajmëroi se do të ndërmarrë masa të tjera sindikale nëse vonesat në paga vazhdojnë. Nga mosrealizimi i pagave janë prekur rreth 200 punëtorë të kësaj ndërmarrjeje./ekonomiaonline/A.K/

Exit mobile version