UBT News

Prishtina nis dezinsektimin hapësinor – 7 mijë hektarë nën trajtim

Procesi i dezinsektimit hapësinor do të nisë sonte në komunën e Prishtinës, me qëllim të reduktimit të rrezikut nga sëmundjet ngjitëse që mund të përhapen përmes insekteve si mizat dhe mushkonjat.

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Izet Sadiku, bëri të ditur se ky proces do të përfshijë një sipërfaqe prej rreth 7 mijë hektarësh, duke përfshirë jo vetëm kryeqytetin, por edhe zonat përreth.

“Pas përgatitjeve të realizuara, më 18 qershor fillon dezinsektimi hapësinor në kryeqytet. Kjo nismë synon zhdukjen e insekteve të cilat mund të jenë bartëse të sëmundjeve ngjitëse. Po punojmë që situata të mbahet nën kontroll epidemiologjik, sidomos gjatë verës kur prania e insekteve është më e lartë”, deklaroi Sadiku.

Procesi do të zhvillohet në gjashtë faza, secila me kohëzgjatje prej gjashtë ditësh, duke u varur edhe nga kushtet klimatike. Sipas Sadikut, reshjet dhe lagështia mund të ndikojnë në efikasitetin e këtij operacioni, ndërsa temperaturat e larta nuk e ndihmojnë përhapjen e insekteve.

Ai shtoi se kushtet atmosferike gjatë dy javëve të fundit kanë qenë të favorshme për përgatitjen dhe fillimin e procesit.

“Ne jemi të përkushtuar për të ruajtur shëndetin publik. Procesi do të nisë nga ora 20:00 e mbrëmjes dhe do të vazhdojë deri në orët e vona, në mënyrë që të shmanget kontakti me banorët dhe të arrihet efikasiteti më i lartë,” theksoi Sadiku.

Exit mobile version