Prishtina do të marrë Presidencën e Rrjetit të Qyteteve të Ballkanit B40 për vitin 2027, ndërsa Samiti i B40 do të mbahet në kryeqytetin e Kosovës në janar të vitit të ardhshëm.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili tha se kryeqyteti ka marrë ftesë zyrtare nga kryetari i Zagrebit dhe presidenti aktual i B40, Tomislav Tomašević, për të marrë drejtimin e rrjetit gjatë vitit 2027.
Rama e ka cilësuar këtë si një përgjegjësi të rëndësishme ndërkombëtare për Prishtinën dhe një vlerësim për rolin e saj në rajon.
“Ky është vlerësim për rolin gjithnjë e më të rëndësishëm të Prishtinës në rajon, por edhe mundësi për ta shndërruar Kryeqytetin në një platformë të dialogut, bashkëpunimit dhe zhvillimit ndërmjet qyteteve të Ballkanit”, ka shkruar Rama.
Mbështetje për kandidaturën e Prishtinës ka shprehur edhe Qyteti i Sarajevës, i cili, përmes një letre zyrtare, ka vlerësuar lidershipin e Prishtinës dhe orientimin e saj drejt gjithëpërfshirjes, partneritetit dhe vizionit evropian.
Sipas Ramës, marrja e Presidencës së B40 do t’i japë Prishtinës një rol më të madh në bashkëpunimin ndërmjet qyteteve të rajonit dhe mundësi për zhvillimin e iniciativave të përbashkëta.
“Në 2027, Prishtina nuk do të jetë vetëm pjesë e tavolinës së qyteteve të Ballkanit, do ta udhëheqë atë”, ka deklaruar Rama.
“Prishtina po rritet. Po lidhet. Po udhëheq”, ka thënë kryetari i kryeqytetit./A.K/
