UBT News

Prishtina me daljen më të madhe në zgjedhje deri më tani

Koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim” ka njoftuar se deri në mesditë në zgjedhjet lokale ka një pjesëmarrje të ulët në komunat me shumicë shqiptare, ndërsa ato me shumicë serbe pjesëmarrja e qytetarëve është tri herë më e lartë.

Eugen Cakolli nga DnV në një konferencë për medie tha se ky proces zgjedhor është i rregullt dhe kënaqshëm, po respektohen masat antiCOVID. Sipas tij, procesi po shoqërohet me një pjesëmarrje relativisht të ulët të votuesve, përjashtuar komunat serbe

“Procesi i rregullt i votimit dhe respektimi i kënaqshëm i masave antiCOVID janë kryefjala e procesit të deritanishëm zgjedhor. Sipas raportimeve të vëzhguesve tanë në terren, procesi deri në mesditë është shoqëruar me një pjesëmarrje relativisht të ulët të qytetarëve në votim me përjashtim të komunave me shumicë serbe në veri të vendit ku mesatarja e daljes në zgjedhje është tri herë më e lartë krahasuar me komunat tjera në vend. Deri më tani është raportuar për nivel të kënaqshëm të respektimit të masave antiCOVID si nga ana e komisionarëve ashtu edhe nga ana e qytetarëve të cilët janë duke I frekuentuar qendrat e votimit”, tha Cakolli.

Ai tha se vështirësitë për të gjetur emrin në listën votuese është dukuri që po i shoqëron këto palë zgjedhje.

“Vështirësitë në gjetjen e emrit në listën e votuesve janë të shprehura si dukuri edhe në këto palë zgjedhje. Deri në këtë kohë në më shumë se 1/3 janë raportuar raste kur një deri në 10 votues kanë pasur vështirësi për të gjetur emrin e tyre në listën votuese në vend-votimin përkatës. Sa i përket votimit me asistencë që është i lejuar, por nën kushte të caktuara ky lloj i asistencës apo i votimit si fenomen është hasur në 73% të vendvotimeve, mirëpo numri i rasteve që kanë ndodhur brenda vendvotimeve është brenda trendeve normale të zgjedhjeve me 1 deri në 10 raste për vendvotim. Deri më tani nuk janë raportuar raste të theksuara të asistencës së palejuar që përfshinë asistencën e dyfishtë, asistencën e paevidentuar apo asistencën nga ana e stafit zgjedhore. Vëzhguesit tanë nuk kanë raportuar për raste të ushtrimit të presionit votuesit dhe nuk kanë evidentuar prani të zyrtarëve të lartë politik nëpër qendrat e votimit”, u shpreh Cakolli.

Ai tha se në mesin e 7 komunave më të mëdha me daljen më të madhe deri më tani, prin Prishtina me 8.32% ndërkohë që Prizreni ka daljen më të ulët – vetëm 6%. Ndërsa, komuna me pjesëmarrjen më të ulët është e Dragashit me 4.49%.

“Në mesin e shtatë komunave më të mëdha prin komuna e Prishtinës me dalje prej 8.32%, ndërsa komuna e Prizrenit ka daljen më të ulët në mesin e komunave të mëdha me vetëm rreth 6%. Ndërsa, në nivel vendi duke përjashtuar komunat me shumicë serbe në veri, sidomos në Mitrovicën Veriore ku dalja është afërisht 30%, Hani i Elezit është komuna me shumicë shqiptare që ka daljen më të lartë me rreth 15% pjesëmarrje të votuesve, ndërsa komuna me pjesëmarrjen më të ulët në zgjedhje deri më tani është Dragashi ku vetëm 4.94% të qytetarëve deri më tani kanë ushtruar të drejtën e tyre të votës”, tha Cakolli. 

Sot po mbahen zgjedhjet lokale në Kosovë.

Exit mobile version