Komisioni vlerësues evropian, ACES Europe ka qëndruar për dy ditë në Prishtinë ku ka inspektuar dhe vlerësuar situatën në lidhje me infrastrukturën sportive dhe qëllimi kryesor i kësaj kandidature është që të gjitha aktivitetet sportive që zhvillohen vitin e ardhshëm në Prishtinë të promovohen edhe nëpër vende të tjera evropiane.
Me këtë rast, kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama, tha se kjo kandidaturë nuk është vetëm sa për titull prestigjioz, por edhe për të dëshmuar se Prishtina është vend me gamë të gjerë sportive.
“Kemi paraqitur kandidaturën që Prishtinën tonë të na e pranojnë si njërin nga qytete evropiane të sporteve të vitit 2024. Kjo kandidaturë e Prishtinës nuk është thjeshtë aspiratë për një tjetër titull, ajo përbën një shpalle të hapur dhe është zotim i qartë për të krijuar një qytet që përqafon shëndetin, gjithëpërfshirjen dhe elanin sportiv. Prishtina, zemra e Kosovës, po kalon nëpër një metamorfozë që ndërthur vlerat tona thelbësore me një gamë të gjerë të sporteve e të ngjarjeve sportive…Vizioni ynë për vitin 2024 është dëshmi e përkushtimit tonë të palëkundshëm ndaj të gjitha këtyre idealeve. Rrugëtimi ynë drejt titullit të qytetit evropian të sportit i ka rrënjët te besimi se sportet janë një forcë e pandalshme dhe motor i fuqishëm për lëvizje dhe ndryshime pozitive… Ne e shohim këtë kandidaturë si një hap të rëndësishëm që do të na ndihmojë shumë drejt qëllimit tonë madhor”, tha Rama.
Ndërkohë që anëtari i këtij komisioni vlerësues nga Evropa, Hugo Alonso u shpreh shumë i bindur dhe madje i impresionuar me profilin sportiv që ka parë në Prishtinë dhe se meriton që ta fitojë titullin “Prishtina qytet evropian i sportit”.
“Më duhet të them se Prishtina ka një profil shumë sportiv. Ka një infrastrukturë të jashtëzakonshme sportive. Do të rindërtojë më shumë dhe do ta bëjnë më shumë edhe për shkak të Lojërave Mesdhetare 2030, po flisnim, mendoj dje, për 300 milionë euro investim, ky është investim i madh në objektet sportive. Kanë një përqindje të lartë të njerëzve aktivë në qytet, më shumë se 50% praktikojnë sportin në baza javore dhe ata i kushtojnë, dëgjojeni këtë sepse është shumë e rëndësishme, më shumë se 20% të buxhetit vendor sportit, kur mesatarja në Evropë është rreth dy-tre për qind. Pra, duhet të themi se jemi vërtet të impresionuar me profilin sportiv të qytetit të Prishtinës dhe ata i kanë të gjithë përbërësit për t’u bërë qytet evropian i sportit. Ne do të njoftojmë nëse përfundimisht Prishtina e merr titullin, në fund të javës së ardhshme dhe në rast të fitimit të këtij titulli, do ta marrin flamurin, më 7 dhjetor në Parlamentin Evropian me Komisionerin Evropian në një ceremoni të madhe me rreth 500 komuna të ndryshme nga e gjithë bota”, u shpreh ai.
Ndërsa drejtori i Drejtorisë për Sport në Komunën e Prishtinës, Granit Rugova, theksoi se një prej benefiteve më të mëdha nëse Prishtina e fiton këtë titull, do të jetë promovimi i ngjarjeve sportive edhe në arenën ndërkombëtare.
“Përgatitje për këtë kandidaturë kanë filluar që nga janari i këtij viti. Është përgatitur një draft i cili ka rreth 85 faqe ku janë të detajuara infrastruktura e qytetit, aktivitete, mardhëniet dhe raportet tona me ministri, me federatat dhe me Komitet Olimpik. Gjatë kësaj kohe, nga dita e djeshme kur komiteti vlerësues ishte në Prishtinë, ne kishim takime dhe vizita te klubit i basketbollit Prishtina, tek Pripingi, ishim tek Rilindja, tokëbahçja në Gërmi. Sot ishim edhe tek Federata e Basketbollit, tek Komiteti Olimpik edhe qëllimi i tyre nuk është vetëm t’i inspektojmë apo t’i shohim vetëm klubet profesionale mirëpo t’i shohim edhe hapësirat nëpër lagje, nëpër parqe sepse në fund të fundit sporti është për të gjithë, nuk është vetëm për profesionistët… Benefiti më i madh është promovimi i kryeqytetit, i Prishtinës, i sportit të qytetit edhe në arenën ndërkombëtare”, tha Rugova.
Ndryshe, sa i përket organizimeve ndërkombëtare, Kosova gjithashtu ka fituar të drejtën e organizimit të Lojërave Mesdhetare të vitit 2030.