UBT News

Prishtina drejt qytetit pa barriera, për lehtësim të qarkullimit të personave me nevoja të veçanta

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, dhe ambasadorja e Vullnetit të Mirë për Kosovën në IHRC, Elvana Shala, prezantuan sot ecurinë e fushatës “Prishtina pa barriera”, e cila synon përmirësimin e qasjes për personat me nevoja të veçanta.

Rama tha se në tri vitet e fundit kanë ndërhyrë në 22 lokacione.

Ai shtoi se puna në disa zona ka arritur deri në 90 për qind të realizimit dhe se fushata do të vazhdojë deri në heqjen e çdo pengese për lëvizje të lirë në kryeqytet.

Kur para tre vjetësh nënshkruam memorandumin e bashkëpunimit për ‘Prishtina pa barrier’ morëm një zotim të qartë: ta bëjmë kryeqytetin tonë të qasshëm dhe të barabartë për të gjithë. Sot, mund të them me bindje se ky zotim po kthehet në realitet. Gjatë kësaj periudhe kemi ndërhyrë në 22 lokacione të ndryshme në qytet. Në shumë prej tyre kemi ulur trotuaret, kemi vendosur rampa sipas standardeve, kemi liruar hapësirat e bllokuara dhe kemi përmiresuar ndriçimin publik. Në qendrat e mjekësisë dhe institucionet arsimore kemi instaluar rampa, ashensorë dhe tualete të përshtatshme për personat me aftësi të kufizuara. Në hapësirat e trafikut urban kemi filluar vendosjen e itinerareve dhe kemi përshtatur biletaritë për qasje më të lehtë.

Në disa zona puna ka arritur deri në 90 për qind të realizimit, ndërsa në të tjera jemi në fazat fillestare, por me plan të qartë për përfundim. Përveç ndërhyrjeve fizike, kemi zbatuar edhe fushata vetëdijesuese, kemi forcuar inspektimin dhe kemi standardizuar mënyrën se si projektohen hapësirat publike për të garantuar lëvizje të lirë dhe të sigurt për të. Ky është një proces i përbashkët, që po e transformon Prishtinën në një qytet pa barriera. Falënderoj të gjithë ata që kanë dhënë kontributin e tyre dhe ju siguroj se nuk do të ndalemi, derisa çdo pengesë të zëvendësohet me një mundësi për lëvizje të lirë”, tha Rama.

Ambasadorja e Vullnetit të Mirë për Kosovën në IHRC, Elvana Shala, tha se “Prishtina pa barriera” nuk është vetëm për personat me nevoja të veçanta, por për të gjithë ata që hasin vështirësi në lëvizje, përfshirë të moshuarit, prindërit me fëmijë në karrocë dhe çdo qytetar tjetër.

Prishtina pa barriera nuk është vetëm për personat me nevoja të veçanta, por për të gjithë njerëzit me vështirësi në lëvizje, përfshirë edhe të moshuarit, me fëmijë me karroca dhe të gjithë të tjerët. Kemi bërë në total numrin e lokacioneve 22 me mesataren e përfundimit 58.5 për qind të të gjitha punimeve të planifikuara. Kemi pasur ndihmesë edhe nga të gjithë qytetarët e Prishtinës që kanë dërguar foto të lokacioneve. Me së shumti kemi hasur në mungesë uljesh të trotuareve, të mbajtësve të shkallëve”, tha ajo.

 

Exit mobile version