UBT News

Prishtina bëhet me shoqatë të vullnetarëve për zjarrfikje dhe shpëtim

Prishtina ka themeluar një shoqatë të re të vullnetarëve për zjarrfikje dhe shpëtim, e cila do të luajë një rol kyç në përballimin e fatkeqësive natyrore dhe emergjencave. Ky projekt është i pari i këtij lloji në Kosovë dhe synon të kontribuojë në përmirësimin e sigurisë dhe gatishmërisë për reagimin ndaj situatave emergjente.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, e cilësoi themelimin e kësaj shoqate si një hap të rëndësishëm për forcimin e mbrojtjes së jetëve dhe pasurive të qytetarëve. Ai theksoi se Prishtina është në një fazë rritjeje të vazhdueshme, ku sfidat që lidhen me rritjen e popullsisë dhe zgjerimin e infrastrukturës kërkojnë që qyteti të jetë gjithmonë i gatshëm për t’u përgjigjur ndaj emergjencave. Rama theksoi se kjo shoqatë do të jetë një mbështetje e çmuar për qytetin, duke ndihmuar në përballimin e fatkeqësive natyrore dhe atyre të shkaktuara nga njeriu.

“Po vendosim themelet e një force të re për mbrojtjen e jetëve dhe pasurive të qytetarëve tanë“, tha Rama, duke shtuar se ky hap do të forcojë gatishmërinë për të reaguar ndaj çdo situate emergjente që mund të paraqitet në të ardhmen.

Drejtori për Siguri dhe Emergjenca, Lulzim Fushtica, gjithashtu e vlerësoi themelimin e shoqatës si një hap të madh përpara në forcimin e sigurisë publike dhe në përmirësimin e reagimeve ndaj emergjencave. Ai theksoi rëndësinë e përfshirjes së qytetarëve dhe bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve dhe shoqërisë civile për të siguruar një menaxhim më të mirë të situatave të emergjencës.

“Siguria dhe menaxhimi i emergjencave kërkojnë një përfshirje të gjerë dhe bashkëpunim të ngushtë mes institucioneve dhe qytetarëve”, u shpreh Fushtica.

Mal Gashi, përfaqësues i zjarrfikësve, tha se themelimi i kësaj shoqate nuk është thjesht një detyrë, por një mision i gjerë dhe i rëndësishëm që kërkon gatishmëri dhe guxim nga anëtarët e shoqatës. Ai theksoi se, përveç ndihmës në fikjen e zjarreve, kjo shoqatë do të luajë një rol kyç në përballimin e fatkeqësive natyrore dhe emergjencave të tjera.

“Shoqata e vullnetarëve për zjarrfikje dhe shpëtim do të jetë një komponent i rëndësishëm në brigadën profesionale për zjarrfikje dhe shpëtim, dhe do të ofrojë mundësi për të reaguar në mënyrë të shpejtë dhe efikase ndaj çdo lloj fatkeqësie“, tha Gashi.

Me themelimin e kësaj shoqate, Prishtina ka bërë një hap të rëndësishëm në përmirësimin e gatishmërisë dhe sigurisë publike, duke krijuar një forcë të re që do të ndihmojë qytetin në përballjen me çdo emergjencë që mund të ndodhë./UBTNews/

Exit mobile version