Në Shtetet e Bashkuara janë publikuar detaje të reja lidhur me një padi serioze ndaj Priscilla Presley, e cila akuzohet për fshehjen e bizhuterive me vlerë të madhe dhe kujtimeve të rralla të Elvis Presley-t.
Ish-aktorja 80-vjeçare po përballet gjithashtu me akuza për përpjekje për të marrë kontrollin e pasurisë së familjes Presley, përfshirë edhe pronën ikonike “Graceland”.
Padia është ngritur në Gjykatën e Lartë të Los Anxhelosit nga ish-partnerët e saj të biznesit, Brigitte Kruse dhe Kevin Fialko, të cilët kërkojnë një dëmshpërblim prej të paktën 50 milionë dollarësh.
Ata pretendojnë se Priscilla ka shkelur kontratat, ka kryer mashtrim dhe ka tentuar të përjashtojë vajzën e saj, Lisa Marie Presley, nga e drejta trashëgimore.
Një nga akuzat më të ndjeshme ka të bëjë me momentin tragjik të janarit 2023, kur Lisa Marie pësoi arrest kardiak. Dokumentet sugjerojnë se Priscilla ka kërkuar fikjen e aparateve që e mbanin në jetë vajzën e saj vetëm disa orë pas pranimit në spital, gjë që ka shkaktuar reagime të forta në publik.
Ajo akuzohet se ka fshehur një koleksion bizhuterish me vlerë 25 milionë dollarë, ndërsa në dokumente kishte deklaruar 6 mijë dollarë për të shmangur pagesat tatimore ndaj autoriteteve amerikane.
Koleksioni i dyshuar është ruajtur në një vend të fshehtë, i menaxhuar nga drejtoresha e arkivave të Graceland-it, Angie Marchese. Sipas paditësve, Priscilla i ka larguar nga puna sapo ka mësuar se ata kishin ndërmend të informonin autoritetet për fshehjen e pasurisë.
Avokati i Priscilla, Marty Singer, i ka hedhur poshtë akuzat, duke i cilësuar “absurde dhe të pabazuara”.
Ai ka deklaruar se padia është përpjekje për të njollosur reputacionin e saj dhe manovër nga individë që vetë janë nën hetim për përvetësim fondesh dhe abuzim ndaj një personi të moshuar. /A.Z/UBT News/