UBT News

Prindërit e një adoleshenti padisin ChatGPT pas vetëvrasjes së djalit

Një padi është ngritur në Gjykatën e Lartë të San Franciskos nga prindërit e një adoleshenti 16-vjeçar në Kaliforni, të cilët pretendojnë se platforma e inteligjencës artificiale ChatGPT ka ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në vetëvrasjen e djalit të tyre, Adam Raine.

Sipas raportimit të NBC News, familja Raine deklaron se pas vdekjes së Adamit, kanë zbuluar dhjetëra biseda të zhvilluara nga djali i tyre me ChatGPT-në, disa prej të cilave përfshinin diskutime të detajuara mbi mënyrat për të kryer vetëvrasje.

Në padinë e paraqitur, prindërit pretendojnë se Adam e kishte përdorur fillimisht platformën si ndihmë në mësime dhe si një mënyrë për të përballuar vetminë. Megjithatë, sipas tyre, bisedat kishin evoluar me kohë dhe kishin marrë një drejtim shqetësues, duke u përqendruar te temat e shëndetit mendor dhe vetëvrasjes. Ata argumentojnë se platforma nuk kishte ndërhyrë apo nuk kishte ofruar udhëzime për të kërkuar ndihmë profesionale, pavarësisht shenjave të qarta të gjendjes së rënduar emocionale të të birit.

Në dokumentet ligjore, kompania OpenAI dhe drejtori ekzekutiv i saj, Sam Altman, akuzohen për dështim në vendosjen e mekanizmave mbrojtës për përdoruesit e mitur dhe për ofrim të mundshëm të informacionit të dëmshëm.

“Adam do të ishte ende me ne po të mos ishte për ChatGPT-në. Jam 100 për qind i bindur për këtë”, u shpreh babai i tij, Matt Raine, në një prononcim për mediat.

Në një deklaratë publike, OpenAI tha se është e tronditur nga ngjarja dhe shprehu ngushëllimet për familjen. Kompania theksoi se ChatGPT përfshin disa mekanizma sigurie, përfshirë sugjerimin për të kontaktuar linjat e ndihmës, por pranoi se këto mund të mos jenë gjithmonë të mjaftueshme në raste të vështira./NBCnews/

Exit mobile version