Me mesazhin për rikthim në çerdhe dhe ndërprerjen e grevës, prindërit dhe fëmijët kanë qëndruar në këndin e lodrave “Yllkat” në Prishtinë. Madje ata kanë vendosur disa fletushka në dyert e çerdhes me mesazhe: “Çerdhja u takon fëmijëve, jo sindikatës”, “mos i mohoni të drejtat tona”, “nga sot përgjegjësi është te ju edukatorët”. Këto mbishkrime janë vendosur edhe në çerdhen “Gëzimi ynë”.
Mehdi Malaj, kryetar i Këshillit të Prindërve, tha se greva po i dëmton tej mase, duke shtuar se janë para kolapsit ngase nuk po kanë edhe ku t’i lënë fëmijët.
Madje ai ka paralajmëruar edhe masa të tjera, ngase siç tha ai edhe fëmijët po dëmtohen emocionalisht e po humbin shumë.
“Ne do të vazhdojmë më kërkesat tona që të fillohet nëpër institucione parashkollore sepse greva po i dëmton shumë po edhe neve prindërve. Ne jemi para kolapsit sepse nuk po mund të bëjmë zgjedhje sepse po duhet mi marr me vete në punë. Ka dikush që ka tre fëmijë dhe është kosto shumë e madhe. Nëse vazhdohet fëmijët po dëmtohen në pjesën emocionale dhe do të koordinohemi dhe do t’i marrim hapat më tutje. Ne nuk jemi me penguar grevën, i përkrahim kërkesat e edukatorëve, por jo formën jo me greva jo me pengim të institucioneve. Jo fëmijët prej 25 gushtit sot për herë të parë kanë qenë në institucion parashkollor. Qysh sot është dashtë me filluar e jo me vazhduar me greva”, deklaroi ai.
Greva në arsim ka filluar me 25 gusht në të gjitha nivelet dhe ende nuk është gjetur një zgjidhje për plotësimin e kërkesave të tyre nga Qeveria.