Në një video thellësisht personale dhe prekëse, Princesha Kate Middleton ka shpërndarë lajmin se do të rikthehet në detyrat e saj publike pas përfundimit të kimioterapisë. Videoja e shpërndarë përmban pamje intime me familjen e saj, duke përfshirë princin William dhe fëmijët e tyre, princin George, princeshën Charlotte dhe princin Louis, duke shijuar natyrën dhe momentet e ngrohta familjare.
Në video, Kate flet hapur për përvojën e saj të vështirë me kancerin, duke e përshkruar atë si një periudhë jashtëzakonisht të vështirë për familjen e saj. “Kanceri është kompleks, i frikshëm dhe i paparashikueshëm për të gjithë,” shprehet ajo. Ajo gjithashtu thekson se, edhe pse ka përfunduar kimioterapinë, rruga e saj drejt shërimit të plotë është e gjatë dhe kërkon që ajo të vazhdojë të ecë hap pas hapi.
Kate tregon gjithashtu se është shumë e emocionuar për të rikthyer në aktivitetet e saj publike dhe për të ndërmarrë angazhime të tjera në muajt e ardhshëm, kur të jetë e mundur. Ajo shprehet se “pavarësisht gjithçkaje që ka ndodhur më parë, unë hyj në këtë fazë të re të rimëkëmbjes me një ndjenjë të rinovuar shprese dhe vlerësimi për jetën”.
Pjesë e kësaj rikthimi është edhe një pjesëmarrje e mundshme në koncertin e Krishtlindjeve në Westminster Abbey, i cili është bërë një ngjarje e rëndësishme në kalendarin mbretëror. Kate ka filluar të punojë me ekipin e saj për këtë projekt dhe shpreson të angazhohet në një program të lehtë të detyrave publike për pjesën e mbetur të vitit, duke reflektuar nevojën e saj për një rikuperim të plotë.
Ajo ka marrë një mori mesazhesh mbështetjeje nga publiku dhe ka shprehur mirënjohjen e saj për gjithë ata që i kanë qëndruar pranë gjatë kësaj periudhe. “Mirësia, empatia dhe dhembshuria e të gjithëve kanë qenë vërtet përulëse,” ka thënë ajo.
Videoja e xhiruar në gusht në Norfolk tregon një notë pozitive, me pamje të familjes së saj duke kaluar kohë të bukur së bashku në natyrë dhe duke u angazhuar në aktivitete të thjeshta, si lojërat në fusha dhe lojërat me letra nën një pemë.
Videoja përfundon me një mesazh inkurajues për të gjithë ata që janë duke u trajtuar për kancerin: “Për të gjithë ata që po vazhdojnë rrugëtimin e tyre kundër kancerit – unë mbetem me ju krah për krah. Nga errësira, mund të dalë drita, kështu që ajo dritë le të shkëlqejë,” përfundon Princesha Kate./UBTNews/