Startupi kinez, AgiBot ka prezantuar produktin e tij më të ri robotin humanoid Lingxi X2. Ky robot kombinon inteligjencën artificiale të avancuar me robotikën e nivelit të lartë, duke e bërë të aftë të ecë, vrapojë, rrotullohet, kërcejë, madje edhe të ngasë një biçikletë ose skuter.
Lingxi X2, me lartësi prej 1.3 metrash e peshë 33.8 kilogramë, dallohet për eksterierin fleksibël dhe komponentët e integruar kyç, që i sigurojnë atij një shkathtësi të jashtëzakonshme. Sipas kompanisë, zotëron “inteligjencë superiore në lëvizje, ndërveprim dhe kryerje të detyrave”, duke vendosur standarde të reja në mobilitetin dhe shumëllojshmërinë e robotëve.
Falë modelit të inteligjencës artificiale Genie Operator-1 (GO-1), Lingxi X2 mund të analizojë fotografi dhe video, gjë që i mundëson performancë më të mirë në botën reale dhe një interpretim më të saktë të aktiviteteve njerëzore.
Roboti është i pajisur me aftësinë për të analizuar shprehjet e fytyrës dhe tonin e zërit, duke i mundësuar të identifikojë gjendjet emocionale të bashkëbiseduesve e të përgjigjet në përputhje me to. Për shkak të dizajnit të tij, Lingxi X2 mund të simulojë edhe modelin e frymëmarrjes së njeriut, të vëzhgojë në heshtje mjedisin përreth e të shfaqë lëvizje të imëta trupore, duke e bërë ndërveprimin më natyral. /UBT News/