UBT News

Prezantohet projekti për master planin e Kompleksit Memorial “Adem Jashari”

Kompania gjermane “Gerber architekten international” është fituesja e projektit të master planit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Sipas master-planit të kësaj kompanie, pjesë e kompleksit memorial do të bëhet një shteg ecje, shtëpia e mbijetesës të mbrohet nga disa xhama transparentë, kulla vrojtuese të rindërtohen në të njëjtën mënyrë dhe fabrika e municionit të shndërrohet në kullë dhe të vizitohet nga vizitorët.

Kryeministri Albin Kurti gjatë prezantimit të projektit, ka thënë se synimi i këtij procesi të rëndësishëm është që kompleksi të marrë pamjen dhe trajtën e një peizazhi historik.

“Një nga proceset më të rëndësishme dhe më delikate të Republikës së Kosovës, të ruajtjes dhe prezantimit të Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Prekazin historik e vizitojnë për të mësuar dhe evokuar historinë e familjes Jashari. Shtëpia ka domethënien e vatrës e për këtë kompleksi memorial është vendi më i rëndësishëm i kujtesës kombëtare e konceptuar si oda e kombit. Synimi i këtij objekti është që kur ai të përfundojë, kompleksi të ketë marrë pamjen dhe trajtën e një peizazhi historik kompleks”, ka thënë Kurti.

Ndërsa, profesori Eckhard Gerber nga kompania fituese gjermane, ka theksuar se ky do të jetë një projekt i rëndësishëm.

“Ndihem shumë i prekur jo vetëm nga kjo ngjarje sot, por nga e tërë historia. Do të jetë një projekt që do të prezantojë projektet e jashtëzakonshme dhe imputet e familjes Jashari. Kosova e ka vendin e vet në botën e lirë të shteteve demokratike”, tha ai.

Përfaqësuesi i familjes Jashari, Bekim Jashari është shprehur se trualli i Jasharëve legjendarë është vendlindja e secilit dëshmor, martir, veteran e qytetar të Kosovës që nuk kursyen asgjë për lirinë e vendit.

“Jo vetëm Kompleksi “Adem Jashari”, por edhe të gjitha të tjera memoriale të dëshmorëve janë dëshmi e historisë sonë së lavdishme. Trualli i babës Shaban është vendlindja e secilit dëshmor, martir, veteran e qytetar të Kosovës që nuk kursyen asgjë për lirinë e Kosovës. Të bashkohemi siç na kanë mësuar të parët tanë”, është shprehur ai.

Ndryshe, projekti pritet të përfundohet brenda 22 muajve.

Exit mobile version