“Evidentimi, ruajtja, përmirësimi dhe përdorimi i resurseve gjenetike autoktone të bimëve në rajonin e Korçës” është projekti që do të realizojë UBT në bashkëpunim me Universitetin “Fan S. Noli” në Korçë, me përkrahje të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit në Shqipëri.
Ky projekt u prezantua nga rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajziri dhe nga profesori i UBT-së, Smajl Rizani, si dhe nga udhëheqësit e Universitetit “Fan S. Noli” në Korçë, në prezencën e zëvendësministres së Arsimit dhe Sportit në Shqipëri, Albana Tole, si dhe të institucioneve që kanë lidhje me bujqësinë në rajonin tonë.
Projekti “Evidentimi, ruajtja, përmirësimi dhe përdorimi i resurseve gjenetike autoktone të bimëve në rajonin e Korçës”, synon krijimin e një strukture kërkimore të qëndrueshme për ruajtjen e resurseve gjenetike të bimëve të rajonit.
“Ky bashkëpunim në mes dy universiteteve sjell edhe rezultatin që është projekti. Ne falënderojmë edhe ministrinë që e ka bërë të mundur këtë punë të përbashkët, dhe besojmë se të gjithë ne së bashku do të arrijmë të finalizojmë projektin, edhe ashtu siç është planifikuar”, ka thënë profesori Rizani.
Rektori i Universitetit “Fan S. Noli” në Korçë, Dhimitri Bello ka thënë se projekti ka një impakt të trefishtë edhe pse është kërkimor, teksa zëvendës-ministrja e Arsimit dhe Sportit në Shqipëri, Albana Tole, është shprehur se ministria ka në fokus politikat në lidhje me kërkimin shkencor dhe inovacionin, të cilat kanë një impakt të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit dhe rajonit.