UBT News

Prezantohet edhe Apple Watch SE 3

Apple hapi segmentin e prezantimit të orëve inteligjente me një montazh emocional, ku njerëz të ndryshëm ndanin histori personale se si ora u kishte shpëtuar jetën në situata emergjente shëndetësore – duke paralajmëruar kështu kapitullin e radhës në misionin e saj për shëndetin.

Apple Watch Series 11 vjen me dizajn të përforcuar: xhami është dyfish më rezistent ndaj gërvishtjeve e ndërtimi prej titani ofrohet edhe në përfundim të ri ngjyrë ari.  Ora mbështet rrjetin 5G për lidhje më të shpejta dhe më efikase në energji, ofron deri 24 orë jetëgjatësi baterie.

Ngjyrat e reja përfshijnë të zezën e errët, argjendin, arin rozë dhe ngjyrën gri.

Në aspektin shëndetësor, ky është modeli më ambicioz i Apple deri tani. Përveç rikthimit të gjurmimit të ciklit dhe shëndetit mendor, risia më e madhe është funksioni i ri për monitorimin e hipertensionit, i cili synon të zbulojë shenjat e presionit të lartë kronik të gjakut.

Apple parashikon që kjo veçori ndihmon në mbi 1 milion diagnoza vetëm në vitin e parë. Funksioni është ende në pritje të aprovimit nga FDA, por kompania planifikon ta lansojë fillimisht në SHBA dhe Evropë.

Përmirësimet përfshijnë gjithashtu një sistem më të detajuar për vlerësimin e gjumit dhe, me ardhjen e watchOS 26, përdoruesit do të kenë në dispozicion edhe pamje të reja të orës.

Apple ruajti emrin e njohur për modelin e saj të nivelit bazë. Apple Watch SE 3 tani vjen me çipin S10 (jo S11, siç pritej), por sjell përmirësime të dukshme: mbështetje për kontrolle me gjeste si prekja e dyfishtë apo lëvizjet e dorës, funksione më të zgjeruara të shëndetit dhe për herë të parë – matjen e temperaturës. Ora mbështet edhe Siri-n direkt në pajisje, duke e bërë përdorimin më të shpejtë e më privat.

Edhe pse autonomia mbetet 18 orë, Apple ka shtuar karikimin e shpejtë, deri dy herë më efikas, një risi e rëndësishme për linjën SE.

Përgatiti: A.Z. /UBT News/

Exit mobile version