UBT News

Presley Gerber vdes në moshën 27-vjeçare, policia e heton rastin si mbidozë të dyshuar

Presley Gerber, djali i supermodeles Cindy Crawford dhe sipërmarrësit Rande Gerber, ka vdekur në moshën 27-vjeçare. Vdekja e tij po hetohet nga autoritetet amerikane si një mbidozë e dyshuar.

Policia e Santa Monikës bëri të ditur se më 20 shtator, rreth orës 09:35, mori një njoftim për një mbidozë të mundshme në një objekt në Santa Monica. Kur mbërritën në vendngjarje, zyrtarët gjetën Gerberin pa shenja jete. Vdekja e tij u konfirmua në orën 09:45 nga ekipet mjekësore.

Autoritetet kanë theksuar se deri tani nuk ka asnjë tregues për vepër penale. Shkaku dhe mënyra zyrtare e vdekjes ende nuk janë përcaktuar nga Zyra e Mjekut Ligjor të Los Angelesit, e cila ka bërë të ditur se nevojiten ekzaminime dhe analiza shtesë.

Gerber kishte folur publikisht për betejën e tij me varësinë dhe problemet e shëndetit mendor. Ai kishte ndarë me ndjekësit edhe përvojat e tij gjatë përpjekjeve për trajtim dhe rikuperim, përfshirë përdorimin e ibogainës në Meksikë.

Sipas raportimeve, Gerber ishte në një qendër rehabilitimi në Santa Monica në kohën e vdekjes. Ai ishte model dhe kishte punuar me agjenci të njohura të modës, duke ndjekur edhe profesionin e nënës së tij.

Hetimi për vdekjen e tij vazhdon, ndërsa familja Gerber ka kërkuar privatësi gjatë kësaj kohe./A.K/

Exit mobile version