UBT News

Presidentja Vjosa Osmani: Kosova në BE, synimi ynë i përbashkët! 

Në prag të Samitit BE-Ballkani Perëndimor, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, zhvilloi një takim me Presidentin e ri të Këshillit Evropian, António Costa. Gjatë takimit, Presidentja ritheksoi përkushtimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe avancimin e reformave demokratike dhe sundimit të ligjit.

Në dritën e zhvillimeve të fundit në fushën e sigurisë, Presidentja Osmani ngriti shqetësimet për sulmet ndaj infrastrukturës kritike dhe aktet e agresionit të kryera nga Serbia, duke kërkuar mbajtjen përgjegjës të autorëve të këtyre krimeve. Ajo nënvizoi rëndësinë e stabilitetit në Kosovë dhe në gjithë Ballkanin Perëndimor si element kyç për paqen rajonale dhe integrimin evropian.

Presidentja Osmani theksoi se avancimi i aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE dhe heqja e masave kufizuese nga BE-ja do të dërgonin një mesazh të fuqishëm për rajonin. Ajo deklaroi se linjëzimi me vlerat dhe politikat e BE-së është rruga drejt progresit dhe stabilitetit, në kundërshtim me orientimet proruse që minojnë sigurinë dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

“Kosova në BE është synimi për të cilin po punojmë ҫdo ditë”, tha Presidentja Osmani, duke riafirmuar përkushtimin e Kosovës për reforma, punë të palodhshme dhe zbatimin e parimeve të Bashkimit Evropian./UBTNews/

Exit mobile version