Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, sot ka pritur në takim ambasadorin italian Nicola Orlando.
Të dy bashkëbiseduesit kanë diskutuar mbi zhvillimet e fundit politik në vend.
Presidentja Osmani e ka njoftuar ambasadorin Orlando për koordinimin e vazhdueshëm me institucionet e reja, si dhe angazhimin e plotë për bashkëpunim me partnerët dhe miqtë e Kosovës, në mënyrë që sa më shpejtë të shtyhen përpara reformat e premtuara. Sipas saj, rezultatet e një bashkëpunimi të tillë u panë së fundmi edhe me aksionin kundër krimit të organizuar transnacional, që ishte rezultat i punës së e përbashkët të policive të rajonit dhe shteteve të tjera. Në këtë drejtim, Presidentja Osmani shprehu mirënjohje të plotë për ndihmën e Italisë dhe theksoi që një zhvillim i tillë është konfirmim i arsyes dhe nevojës për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL.
Ndërkaq ambasadori Orlando ka theksuar se shteti italian do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në përmbushjen e reformave, duke spikatur në mes tjerave edhe angazhimin e plotë dhe mbështetjen e vazhdueshme për në sferën e fuqizimit të rolit të grave në çdo fushë.