UBT News

Presidentja Shiroka-Pula takohet me përfaqësueset e strehimoreve, diskutojnë mbrojtjen e grave nga dhuna

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka pritur në takim një delegacion të përfaqësueseve të strehimoreve të Kosovës, me të cilat ka diskutuar për mbrojtjen e grave nga dhuna, sfidat me të cilat përballen strehimoret dhe mundësitë për forcimin e bashkëpunimit institucional.

Gjatë takimit, presidentja vlerësoi punën dhe përkushtimin e përfaqësueseve të strehimoreve në mbrojtjen e grave, garantimin e sigurisë së tyre dhe mbështetjen për riintegrim në shoqëri.

Ajo theksoi se mbrojtja e grave nga dhuna dhe garantimi i dinjitetit të tyre janë përgjegjësi e përbashkët institucionale dhe shoqërore, duke nënvizuar se asnjë grua nuk duhet të përballet e vetme me dhunën apo vështirësitë.

Shiroka-Pula u interesua gjithashtu për sfidat dhe nevojat konkrete të strehimoreve, si dhe për mundësitë e rritjes së mbështetjes institucionale, në mënyrë që shërbimet për gratë që përballen me dhunë të jenë të qëndrueshme, të qasshme dhe efektive.

Në fund, presidentja shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të vazhdueshëm me përfaqësueset e strehimoreve, shqyrtimin e mundësive për mbështetjen e punës së tyre dhe adresimin e çështjeve që kërkojnë vëmendje institucionale./A.K/

Exit mobile version