Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, zhvilloi një takim me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, më 8 tetor 2024, në kuadër të Procesit të Bërdo-Brione, i cili këtë vit po mbahet në Tivat të Malit të Zi. Takimi kishte për qëllim koordinimin e qëndrimeve të dy shteteve simotra për të forcuar bashkëpunimin në të mirë të qytetarëve dhe të ardhmes euroatlantike.
Në një postim në rrjetet sociale, presidentja Osmani shprehu rëndësinë e këtij takimi, duke theksuar se “Sot në Tivat, me Presidentin Bajram Begaj, për t’i koordinuar qëndrimet e dy shteteve tona simotra, në të mirë të qytetarëve tanë dhe të ardhmes sonë euroatlantike.”
Presidentja Osmani udhëtoi për në Mal të Zi më 7 tetor 2024 për të marrë pjesë në këtë ngjarje të rëndësishme, e cila sjell së bashku liderët e rajonit për të diskutuar çështje kyçe si procesi i zgjerimit të Bashkimit Europian dhe rëndësia e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.
Takimi vjetor i liderëve do të fokusohet gjithashtu në çështje të tjera strategjike për stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit, duke promovuar një zë të përbashkët në skenën ndërkombëtare. Ky bashkëpunim mes Kosovës dhe Shqipërisë është thelbësor për të forcuar lidhjet historike dhe për të avancuar integrimin evropian të të dyja vendeve./UBTNews/