Emisari special i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, është pritur në takim nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Emisari britanik Peach u takua edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Në takim me Kurtin sikurse edhe me Osmanin, mediet u lejuan të marrin vetëm pamje.
Emisari special i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach po qëndron në vizitë zyrtare në Kosovë.
Përfaqësuesi i Britanisë para vizitës në Kosovë ka qëndruar për vizitë edhe në Beograd, ku është takuar me përfaqësues të Serbisë, me të cilët ka biseduar për dialogun dhe zhvillimet në rajon.
Ndryshe, kryeministri britanik Boris Johnson ka emëruar Peach si të dërguarin e posaçëm për Ballkanin Perëndimor si pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të Mbretërisë së Bashkuar për zhvillimin dhe prosperitetin e rajonit.
Stuart Peach më herët ka qenë në detyrën e kryetarit të Komisionit Ushtarak të NATO-s, të cilin e ka mbajtur prej vitit 2018. Më parë ai ka shërbyer edhe si shef i Shtabit të Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar.
Si i Dërguar i Posaçëm i Kryeministrit, Stuart Peach do të punojë me liderët e Ballkanit Perëndimor, me të tjerët në rajon dhe aleatët në SHBA dhe Evropë, për të mbështetur dhe përforcuar stabilitetin rajonal.
Puna e tij do të përfshijë gjithashtu promovimin e institucioneve të forta demokratike dhe shoqërive të hapura, duke favorizuar luftën ndaj krimit të organizuar dhe sfidat e tjera të përbashkëta të sigurisë, si dhe inkurajimin e zgjidhjes së çështjeve të trashëguara, si krimet e luftës dhe personat e zhdukur.
Për Serbinë dhe Kosovën, ai do të punojë me partnerët ndërkombëtarë në mbështetje të dialogut Serbi-Kosovë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.