Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar sot grevën historike të urisë së minatorëve të Trepça, duke e cilësuar atë si një nga momentet më të rëndësishme të rezistencës për liri.
Në mesazhin e saj, Presidentja rikujtoi se më 20 shkurt 1989, rreth 1,350 minatorë nisën grevën kundër politikave shtypëse të regjimit hegjemonist serb. Të barrikaduar në thellësitë e minierës së Stan Tërgut për tetë ditë me radhë, ata u shndërruan në simbol të guximit dhe dinjitetit.
Sipas Presidentes Osmani, rezistenca e minatorëve krijoi solidaritet dhe unitet popullor në mbarë Kosovën, duke dridhur themelet e një pushteti që promovonte diferencim dhe pabarazi.
“Sakrifica e tyre u kthye në kushtrim lirie dhe dëshmoi se rruga drejt lirisë hapet nga guximi i atyre që nuk dorëzohen”, thuhet në mesazhin e Presidentes.
Grevës së minatorëve të Trepçës i njihet një rol i rëndësishëm në historinë moderne të Kosovës, si një akt që mobilizoi qytetarët dhe forcoi përpjekjet për liri dhe të drejta të barabarta.
