Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, zhvilloi sot një takim me të dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, z. Eirik Nestås Mathisen.
Në qendër të bisedës ishin zhvillimet e fundit në Kosovë dhe në rajon, marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve, si dhe roli i mbështetjes norvegjeze në rrugën e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike.
Presidentja Osmani shprehu mirënjohje për ndihmën e vazhdueshme të Norvegjisë në procesin e shtetndërtimit të Kosovës, duke theksuar se kjo përkrahje ka qenë dhe mbetet thelbësore për avancimin e vendit drejt strukturave euroatlantike.
Ajo nënvizoi po ashtu rëndësinë që Kosova të anëtarësohet sa më shpejt në Këshillin e Evropës dhe të ecë me hapa të sigurt në rrugën e integrimit.
Gjatë takimit u trajtuan edhe çështje të tjera me interes të përbashkët, ndërsa të dy palët riafirmuan vullnetin për të forcuar më tej partneritetin mes Kosovës dhe Norvegjisë.