Presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se Kosova është e vendosur që të vazhdojë dialogun me Serbinë dhe të ketë bashkëpunim me të gjitha vendet fqinje.
Këtë deklaratë Presidentja e bëri gjatë konferencës së përbashkët me presidenten e Estonisë, Kersti Kaljulaid, ku shtoi se Kosova ka qëllime të qarta në dialog dhe nuk do të pranojë lëvizje të kufijve.
Znj. Osmani tha se kjo fazë e dialogut është një kapitull i ri për Kosovën.
“Nuk e diskutojmë assesi statusin tonë final. Kosova është vend i pavarur. Po ashtu, lëvizjen e kufijve nuk do ta pranojmë në asnjë mënyrë. Nuk do të pranojmë në Kosovë as modele si ajo e republikës serbe në Bosnjë, sepse ne duam ta mbrojmë Kosovën”, deklaroi znj. Osmani.
“Një çështja e rëndësishme është edhe ajo e personave të zhdukur. Serbia duhet të tregojë se ku janë të zhdukurit”, shtoi presidentja e Kosovës.
Kujtojmë se presidentja po qëndron për një vizitë dy ditore në Estoni, ku do të pritet edhe nga liderët shtetëror të këtij vendi, përfshirë presidentin e Parlamentit, Jüri Ratas dhe kryeministren Kaja Kallas.
Ndërkohë, për çështjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë pritet që të zhvillohet një takim më 15 qershor në Bruksel mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.