Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbajtur sot një konferencë për media, pas takimit konsultativ me liderë të partive politike për caktimin e datës së zgjedhjeve të rregullta në vend. Gazetarët e kanë pyetur nëse ekziston ende mundësia për zgjedhje të jashtëzakonshme.
Osmani ka bërë të ditur se mundësia për zgjedhje të jashtëzakonshme ende ekziston ligjërisht. Ajo ka shtuar se për shpërndarjen e Kuvendit kërkohet një shumicë prej 2/3 e votave dhe disponimi i partive politike për ta realizuar këtë është çështje e tyre. Megjatë, ajo ka konstatuar se në takimin e sotëm nuk ka parë disponim të tillë nga liderët e partive politike.
“Sa i përket zgjedhjeve të jashtëzakonshme, mundësia ligjërisht akoma ekziston. Pra caktimi i datës së zgjedhjeve të rregullta ligjërisht nuk e përjashton mundësinë e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, megjithatë shpërndarja e Kuvendit kërkon 2/3 e votave e më shumë dhe se a kanë disponim partitë politike të përfaqësuara në Kuvend ta bëjnë një shumicë të tillë apo jo është çështje e tyre, sot nuk u duk një disponim i tillë,” u shpreh Osmani.
Ajo gjithashtu bëri të ditur se për momentin po përgatiten për zgjedhje të rregullta, duke shtuar se afatet janë të qarta dhe do të publikohen sa më herët që të jetë e mundur për të lehtësuar planifikimet dhe pjesëmarrjen e qytetarëve, përfshirë edhe ata të mërgatës./UBTNews/